Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në
një lidhje live për emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në ABC Neës përcolli një mesazh me rastin e Fiter Bajramit. Kryebashkiaku foli për organizimet e bashkisë ndërsa përmendi gjithashtu edhe se tre parkingje do të jenë falas nesër për besimtarët. Duke filluar nga orët e para të mëngjesit, parkimi do të jetë falas në këto zona në mënyrë që besimtarët të kryejnë faljen pa asnjë pengesë: Parkimi te “7 Xhuxhat”, te Sheshi “Skënderbej” si edhe te Bulevardin e Ri.
“Kemi pasur një ditë ku janë vendosur zbukurimet. Janë hapur dy xhami të reja, xhamia në Misto Mame, xhamia e Nures dhe xhamia tjetër në Depon e Ujit, një lagje ku unë dhe Visi jemi rritur. Më vjen mirë që edhe sot kemi menduar edhe për fishkezjarret dhe për t’i sjellë gëzim qytetit. Është një muaj që besimtarët kanë sakrifikuar. Kemi nevojë për të qenë më shumë bashkë. Kemi nevojë më shumë të duhemi dhe më pak të përçahemi dhe të debatojmë Si thoshte Fishta i madh, ne kemi Bajram dhe Pashkë por Shqipërinë e kemi bashkë. Një vend që zbukurohet për Krishtlindjet duhet të zbukurohet edhe për Bajram. Një vend që zbukurohet për Pashkë duhet të zbukurohet edhe për Bajramin e Vogël. Më vjen mirë që Tirana ka hapësirë për të gjithë. Parashikojmë që gjithë sheshi Skëndërbej do të përdoret cep e më cep. Ka filluar që tani përgatitja. Ekranet LED duke filluar që në orët e para të mëngjesit, të gjitha parkingjet nëntokësore të Tiranës do të jenë falas për t’u përdorur nga besimtarët. Parkimi i madh që është komplet në sheshin Skënderbej, parkimi tjetër i madh që është në fund të bulevardit Zogu i Parë dhe parkingu tjetër që është te “7 Xhuxhat”. Për ata që do mund të vijnë në këmbë e rekomandojmë të vijnë në këmbë sepse do ketë shumë njerëz. Ndërkohë që për të gjithë të tjerët që do duhet të bëjnë distancë t’jua lëmë atyre mundësinë që të parkojnë falas në këto tre parkingjet kryesore apo edhe përgjatë rrugës në boulevard”, tha Veliaj.
Elvis Naçi shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për vëmendjen që ka treguar gjithmonë. “Fishekzjarret ishin qershia mbi tortë. Një spektakël vërtetë i bukur. Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Erioni gjithmonë edhe në muajin e Ramazanit ka qenë gjithmonë aktiv dhe ne i falenderojmë. Një nga gjërat që ne bëjmë së bashku është bashkëpunimi për të ndihmuar familjet e varfra, ata të cilët nuk e kanë ushqimin gjatë gjithë kohës. Bashkia e Tiranës na ndihmon edhe në aspektin e evidentimit të njerëzve që janë vërtetë në nevojë. Gjithë shqiptarët janë vëllezër dhe motra. Çdo ditë të tyre që vjen ta rregullojnë gjithmonë dhe për më mirë dhe gjithë fuqinë e tyre shpirtërore ta harxhojnë për ta bërë njëri tjetrin më të lumtur. Falenderimet janë të përzemërta për bashkinë e Tiranës që sa herë kemi trokitur për gjërat e bamirësisë gjithmonë ka qenë e hapur. Ky është bashkëpunimi që e çon Shqipërinë përpara”, tha Elvis Naçi.