Frrok Çupi

Dje mjetet presidenciale të informacionit, Radio dhe Televizioni, transmetuan një lajm mbi takimin e Sali Berishës me Tomë Berishën. (Toma është një officer i dalë në lirim në Kroaci, ish kryetar i Partisë Demokratike atje). Sipas lajmit, Tomë Berisha, ka propozuar para Sali Berishës që të ndërtohet një Ushtri Mbarëkombëtare Shqiptare. Në të njëjtën kohë, në Tiranë ndodhet për vizitë në Presidencë, njëri nga eksponentët e LDK, përgjegjës për vjeljen e tre-përqindëshit nga emigrantët kosovarë në Europë.

Situata në Shqipëri është as luftë, as paqe; në një revoltë mbarëpopullore kundër qeverisë dhe Presidentit. Vendi i ngjanë një lehone, trupi i së cilës pranon çdo infeksion. Grushti i shtetit do të ishte lehtësisht i infiltrueshëm.

Para lajmit mbi krijimin e Ushtrisë Mbarëkombëtare, që përbën një grusht ushtarak shteti të organizuar nga Berishajt, le të dallojmë dy hollësira të rëndësishme: Përbërjen e delegaciont dhe propagandën që i bën Berisha i Shqipërisë vullnetit të ardhur nga Kroacia. Në delegacionin e përbërë prej ushtarakut Berishë të Kroacisë dhe aferës së vjeljes së parave në Kosovë, qëndron ideja e organizimit të grushtit ushtarak. Ndërsa mësohet se këta kanë bërë thirrje në Kosovë, Kroaci, Slloveni e Maqedoni, kudo ku jetojnë shqiptarë, që këta të mblidhen “për të shpëtuar atdheun e nëpërkëmbur nga shqiptarët e Shqipnies”, në të njëjtin ekip vjen edhe mbajtësi i parave që u janë vjelur punëtorëve kosovarë që punojnë në Europë. Tre përëindëshi i famëshëm është vjelur nën sloganin politik “ Rezistencë serbëve”.

Me sa merret vesh, në Tiranë janë mbledhur, në një thes, edhe ushtarakët, edhe paratë. Grushti ushtarak, me sa shikohet, është gati. Djem të mbledhur prej viseve jashtë shtetit ku jetojnë shqiptarë, të mashtruar sikur shteti-amë është në rrezik, janë rekrutuar për t’u vënë nën armë kundër bashkëkombësave të tyre në Shqipëri.

Presidenti i Republikës, tashmë i zhvlerësuar si autoritet i vendit të vet për shkak të katastrofës që shkaktoi, ka humbur disa “beteja”, deri edhe shanset me Ushtrinë dhe SHIK-un për të shtypur kryengritjen popullore në Jug .Me sa duket, Berisha ndjehet i frikësuar nga populli i pakënaqur dhe kryengritës. Për këtë arsye ai thërret në mbrojtje një Ushtri të paligjshme shqiptarësh të mbarë, ose “mbarëshqiptare”.

BALLKANI NË KRIZË PRESIDENTËSH

Edhe orët e fundit të jetës presidenciale, më i shkurtëri mes krerëve ballkanikë – Zhelu Zhelev, i përdori për të thënë disa fjalë që nxisin krizën politike në Bullgari. I futur i tëri në një pardesy të zi, herë si i lumtur e herë si i tmerruar, ai deklaroi se “Nuk do të nënshkruaj emërimin e ndonjë kryeministri socialist”. Paçka se parlamenti bullgar sot për sot është i dominuar prej palës socialiste.

Pika e parë e marrjes së guximit prej krerëve të shteteve ballkanike për të “turbulluar” ujëra në zonat ku sundojnë, është ngjashmëria që gjëjnë tek njëri tjetri. Zoti Zhelev nuk do të ishte krejt i tillë, po të mos kishte të njëjtët homologë në Kroaci, në Bosnjë, në Shqipëri apo në Serbi. Presidentët aktuale të Ballkanit janë më problemorët e të gjitha kohëve. Ngjajnë si pika e ujit me njëri tjetrin.

Ndërsa kroati Tuxhman, një komunist i burgosur në periudhën e Titos, kishte mbyllur Radion indipendente “101” në Zagreb, të njëjtën gjë bëri Millosheviçi në Serbi me Radion B 92. Në jug të Ballkanit, Presidenti i Shqipërisë vazhdon te funksionojë me të njëjtin ligj për median elektronike që ka funksionuar pushteti komunist për pesë dekada. Ditët e fundit, në mënyrë “naive” kanë mbirë disa radio dhe televizorë privatë, por vetëm ato që kanë lidhje me shtetin dhe partinë shtet. Projektligji që po përgatitet parashikon të hapen dy televizionë publikë; por në duar të qeverisë.

Në qoftë nuk ka pasur biseda të drejtpërdrejta telefonike mes presidentëve të Shqipërisë, Kroacisë e Serbisë, lidhja mes tyre vjen si shkak i qëndrimeve të njëjta ndaj demokracisë.

Nuk mund të thuash se Presidentët e Ballkanit i lidh apo i konflikton biseda me njëri tjetrin. “Zanati” vjen nga brenda, nga edukimi dhe prirja.

Ndërsa Presidenti kroat manipuloi zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit Zagreb, e njëjta gjë ndodhi në Beograd, në Tiranë dhe në Mostar të Bosnjës. Por ndërsa kroatët e Zagrebit u ngritën në protestë dhe serbët gjithashtu shkundën pluhurin e vjetër të Ballkanit, në Tiranë dhe në Mostar pati më shumë heshtje. Veçanërisht qytetarët e Tiranës heshtën për manipulimin e votave.

Ja se ç’situatë kanë krijuar presidentë të krisur në një hapësirë problematike:

Janar, 1997