Sali Berisha ka vendosur të kandidojë në Shijak, Rezeart Tushën e dëbuar nga Zvicra. Edhe pse e shkuara vijon ta përndjekë, ai do të qëndrojë në garë deri sa Prokuroria të thotë fjalën e fundit. Por, në pritje të vendimit të drejtësisë, Tusha u shfaq i pa shqetësuar në fushatë krah Sali Berishës.

“Bashkë me Rezeartin, në dyert e Prokurorisë kanë përfunduar 9 kandidat, që i përkasin spektrit te majtë dhe të djathtë. Përjashtim bëjnë kandidatet zonja, për të cilat Ilir Meta doli garant”, tha Berisha.

“Përgjegjshmëria e grave nuk krahasohet me atë të burrave. Korca ka nevojë për një nikoqire dhe do e ketë. Pashë këtë kullën kutë para se të vija. Si mund të behet një kullë kaq e shëmtuar në Korçë, për kapriçon e një njeriu, mirë ai qe ka ikur nga mendja, po ai që është këtu si e lejon”, tha Meta.

Por, basti politik i Ilir Metës nuk është kandidatja Ledina Alolli ne Korçë , por Belind Këlliçi në Tiranë, që kartën me të fortë të fushatës së tij krahas transportit falas ka dhe uljen e taksave.

“Kemi në plan për ta përgjysmuar tarifën e hapësirës publike, do ta bëjmë gjysmë nga sa e ke tani. Edhe tarifën e pastrim gjelbërimit do ta përgjysmojmë. Do të heqim taksën e infrastrukturës arsimore, që është absurde vëlla. Këto janë ndihma edhe për biznesin, me ndihmu edhe biznesin e vogël me marr një punëtor më shumë, me pas të ardhura më shumë, me i dhënë frymëmarrje”, tha Këlliçi.