Nga Shpëtim Luku
Edhe pse i kapluar nga trishtimi që sjell një sëmundje e rëndë, Andrea Stefani gjente dromca ngazëllimi teksa kryenim ritualin tonë të shëtitjes e bisedave.
“Gjëja më e mirë që kam bërë është se kuptova në kohë që gazetaria ekonomike nuk kishte të ardhme në Shqipëri. Kur shikoja se çfarë personash, me çfarë niveli mjeran dilnin në televizion për të bërë analiza politike, atëhere i thashë vetes “hidhu në këtë fushë”, më tha një ditë. Por ndërsa ai e kishte gjetur zgjidhjen dhe i gëzohej asaj mua, që preferova të qëndroj me stoicizëm në këtë sektor, më shfaqej para syve e gjithë problematika e kësaj lloj gazetarie ndër vite.
Nëse Shqipëria ka këtë polarizim të skajshëm social, ku një pakicë fare e vogël ka shumicën e të mirave materiale, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë, pakicën që mbetet si arritëm në këtë realitet? A arritëm nëpërmjet një procesi konkret, i cili duhet të përballej në vazhdimësi me oponencë e gazetarisë ekonomike?
Nëse Shqipëria ka qenë dhe mbetet ndër vendet më të korruptuara, a nuk duhej të ishte gazetaria ekonomike e aq më shumë gazetaria ekonomike investigative në ballë të luftës kundër tij?
Nëse Shqipëria është vendi ku paraja publike është grabitur në mënyrë sistematike nëpërmjet tenderave abuzues, a nuk duhet që gazetaria ekonomike të ishte denoncuesja kryesore e tyre. Me logjikë profesionale, me fakte e me kompetencë.
Nëse Shqipëria përballet sot me disa pasoja të mëdha sociale sikurse janë shpopullimi, emigrimi, mungesa e fuqisë punëtore, a nuk duhet që gazetaria ekonomike ti binte sirenave të alarmit atëhere kur duhej?! Pikërisht atëhere kur kishin filluar të gatuheshin probleme të tilla?
Nëse Shqipëria ka këtë nivel mjeran pensionesh, e në të ardhmen do të ketë edhe më shumë probleme me skemën e pensioneve, a nuk ishte detyra e gazetarisë ekonomike oponenca ndaj qeverive për lejimin masiv të punës së zezë, vjedhjes se kontributeve të sigurimeve shoqërore nga biznesmenë kriminelë ekonomikë? Nëse mashtrimi ndaj konsumatorit ka qenë e mbetet në nivele shqetësuese, a nuk duhej që gazetaria ekonomike të vazhdonte misionin e saj për të ndarë “grurin nga egjra”?
Dhe kështu mund të vazhdonim shumë gjatë duke sjellë shembuj e problematika. Po pse nuk është bërë kjo? Pra, pse ndërsa çdo veprim, çdo krim, çdo abuzim e mashtrim bëhet për para, gazetaria kundërvënë se nuk ka funksionuar pothuajse fare?! Përgjigja e kësaj pyetje është shumë e thjeshtë. Ajo duhet kërkuar tek fizionomia që ka patur e ka media shqiptare. Duke patur përgjithësisht pronarë biznesmenë, ajo më së shumti është konceptuar dhe përdorur si “armë” për të siguruar përfitime si biznesmenë.
Në formën e lejeve të ndryshme të ndërtimit, të evazionit fiskal, të tenderave, të “llokmave” në zonat turistike etj etj. Pra, nuk ka se si gazetaria ekonomike të jetë e zhvilluar, nuk ka se si gazetaria ekonomike të bëjë luftën e fortë ndaj fenomeneve që kanë krijuar e kalçifikuar këtë realitet të sotëm kur protagonistë të tyre janë ai tip biznesmeni që është ndërkohë edhe botues. A përmendet litari në shtëpinë e të varurit? Fundja, a të lejojnë t’a bësh një gjë të tillë?
Edhe pse sot refreni korrupsion, vjedhje, mashtrim duket sikur po zë vend përherë e më shumë nëpër portale të ndryshme, sërish nuk ka vend për optimizmin se po kthehet një gazetari e munguar dhe e kërkuar nga nevoja. Sepse në të shumtën e rasteve nuk bëhet fjalë për raportime profesionale e kompetente, por thjesht për përgojime, hamendësime apo përcjellje akuzash politike që vetëm për interesa të publikut nuk bëhen.
Sepse gazetaria ekonomike e realizuar me kompetencë e përgjegjshmëri kërkon shumë punë e preokupim që duket luks i madh për redaksitë modeste të portaleve. Ndaj, duke patur parasysh nivelin ku ndodhet dhe vlerësimin e munguar të gazetarisë ekonomike kupton edhe më mirë ngazëllimin e dikurshëm të Andrea Stefanit.