“Vota në 14 maj është garanci për vazhdimin e projekteve të nisura”. Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri gjatë një takimi me banorë të lagjes “Visarion Xhuvani” në Elbasan.
Bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja, numri dy i socialistëve deklaroi se koha ka treguar se sa i rëndësishëm është binomi qeveri-bashkie për të mos e bunkerizuar Elbasanin.
“Vota në 14 maj është dhe garanci për vazhdimin e projekteve të nisura në Elbasan. Sa herë ndodh që e merr krahu tjetër, gjë që nuk do të ndodhë kurrë në Elbasan, por po marr rastin hipotetik për ta thjeshtuar bisedën, ndërpritet komunikimi me qeverinë. Fillon bunkerizohet bashkia e Elbasanit politikisht, ndërpriten komunikimet dhe projektet mbeten në mes. Këtë ka treguar historia e shumë viteve kur ka pasur ndryshime të pushtetit. Binomi bashki – qeveri është garanci për vazhdimin e punëve. Në fund të fundit çdo elbasanlli që mund të jetë skeptik, mund të jetë neutral, mund të ketë mendime të ndryshme politike, bëjeni kësaj radhe për interesin e zhvillimit të Elbasanit sepse këtu po bëhen disa gjëra që do ta ndryshojnë këtë qytet”, tha Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve deklaroi se investimet madhore në Elbasan do të ishin të pamundura nëse nuk do të ishte dhe mbështetja e madhe e qeverisë. “Nuk është kollaj të investosh shumë para për të bërë atë qendër të madhe, pra jo vetëm Automotoparkun, por përfshirë dhe shëtitoren më të madhe që do ketë një qytet siç është shëtitorja buzë lumit. Ajo vepër do të sjellë shumë zhvillim ekonomik sepse do të sjellë shumë turizëm. Nuk është si ai Disneyparku që do të bëjë Luçi. Ato janë ëndrra. Bashkia do bëjë këto ndërhyrjet nëpër lagje, siç ka bërë, asfaltimet. Ky ka filluar ndërhyrjet në shumë rrugë të Elbasanit dhe do vazhdojë dhe do ta urbanizojë të gjithë qytetin. Ama qeveria do të marrë përsipër projektet e ujësjellës – kanalizimeve. 15 milion euro u dhanë tani për ujësjellës dhe kanalizime. Janë prapë investime të qeverisë shqiptare. Pra të gjitha këto i krijojnë mundësinë Gledit që me këtë binom të rëndësishëm qeveri – bashki të mund të ecë përpara me projekte”, tha ai.
Gjiknuri, që është dhe drejtues politik i qarkut, u shpreh se alternativa përfaqëson dyshen Berisha-Meta që nuk ofron asnjë garanci. Ai theksoi se kandidati I tyre është provuar në Elbasan si alternativë humbëse dhe që nuk sjell asgjë të re. “Alternativa tjetër është hiç. E para njëherë ata kanë bërë një martesë të re politike Berisha – Meta e cila nuk u thotë diçka qytetarëve, përkundrazi të kthen tek ato zakonet e vjetra. Martesë e re, zakon i vjetër. Madje këtu në listën e këshillit po të shikoni e kanë mbushur me ish-LSI-të. Shikoni listën e këshillit i keni të gjithë në ish-LSI. Pra Luçi do apo s’do ta pranojë është kandidat i Ilir Metës ‘de facto’ dhe Sali Berishës si ‘non grata’. Janë të dy bashkë. Kush është organizata jote politike? Kush është garancia jote për zhvillim? Vetëm fjalë të bukura. Është kollaj të kritikosh problemi është çfarë garancie ke ti. Ti je i provuar. Një kandidat i provuar, kryetar PD-je ‘po’, politikën e kuadrit në Elbasan e bënte ai. Ka qenë kandidat për kryetar bashkie, humbi. Pra ti je njeri i provuar dhe nuk përfaqëson asnjë të re”, deklaroi Gjiknuri.
Sekretari I Përgjithshëm i PS u shpreh se Gledian Llatja ka provuar se di të mbajë premtimet e bëra duke punuar çdo ditë. Ndaj, ai kërkoi mbështetjen e banorëve të lagjes “Visarion Xhuvani”, për të lidhur një tjetër kontratë bashkëpunimi për zhvillimin e Elbasanit.
“Që të punësosh ca militantë aty te bashkia jote dhe të mos bësh më asnjë gjë. Të stoposh çdo lloj zhvillimi, ta bunkerizosh Elbasanin politikisht. Dhe ku do shkojë qyteti? S’ka asnjë lloj perspektive. Pra praktikisht kjo është zgjedhja. Gledi katër vjet e ka treguar veten. Projekte ka bërë dhe do vazhdojë të bëjë. Prandaj vlen dhe ky mandat i dytë për të rinovuar kontratën me ju dhe për të bërë gjëra më të mira. Gjërat thuhen publikisht dhe ka një ekip politik që e mbështet nga mbrapa. Dhe prandaj them ato që thuhen këtu janë premtime të këtij ekipi politik që dhe unë i dal garant. Prandaj them që vota në 14 maj do të jetë votë për Partinë Socialiste, për këshillin bashkiak dhe është shumë e rëndësishme, dhe për Gledin. Vota në 14 maj është dhe për këtë ekip politik për t’i dalë garant atyre gjërave që ky thotë dhe për t’i vazhduar më tutje”, nënvizoi Gjiknuri.