Një protestë po mbahet në Hagë teksa mbahet gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Qindra qytetarë nga Kosova dhe diaspora janë mbledhur më sheshin “Laan van Reagan en Gorbatsjov” në Hagë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sheshi ndodhet rreth 3 kilometra larg Gjykatës Speciale të Kosovës ku më 3 prill ka nisur gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në mesin e protestuesve ka edhe pjesëtarë të diasporës nga Gjermania, Kroacia e Zvicra. I pranishëm është edhe djali i Kadri Veselit, Klestori.

Para pak minutash ka filluar gjykimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prej nëntorit të vitit 2020, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë, janë krijuar pas votimit më 2015 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ky institucion, që njihet edhe si Gjykata Speciale, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në aktakuzën e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përmenden 40 lokacione ku dyshohet se u kryen krime.