Policia ka paralajmëruar qytetarët e Hamburgut, në Gjermani, që të mbyllin dritaret pas shpërthimit të një zjarri të madh që përfshiu disa depo, dhe bëri që tymi i zi i mbushur me kimikate të përhapej në qytet.

Agjencia e lajmeve gjermane, Dpa, tha se zjarri shpërtheu rreth orës 04:30 në Hamburg, në qarkun Rotenburgsort, që gjendet në qytetin e dytë më të madh gjerman. Më pas tymi u përhap drejt qendrës së qytetit, duke shkaktuar ndërprerjen e qarkullimit të trenave në distanca të gjata mes Hamburgut dhe Berlinit, si dhe qyteteve të tjera.

Po ashtu, përmes një aplikacioni në telefon është lëshuar një alarm duke këshilluar qytetarët e Hamburgut që të mbyllin dritaret, të fikin aparatet për ventilimin e ajrit dhe të shmangin zonën ku ka shpërthyer zjarri.

Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar nga shpërthimi i zjarrit.