Klotilda Ferhati

Rreth 16 vjet më parë deputeti rus i Partisë së Putin, Kostantin Kosachev nisi një mocion për rezolutë mbi pretendime për trafik organesh njerëzore në Kosovë nga liderë e pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbi të cilin ish senatori Dick Marty hartoi dhe raportin që shërbeu për miratimin e rezolutës së vitit 2011 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës “Për trajtimin çnjerëzor dhe trafikun e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”.
Ishte kjo, baza për krjimin e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale në Hagë, ku aktualisht liderët e UÇK, ish Presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po mbahen të burgosur dhe po gjykohen.
Është fakt se: Që nga viti 2003 e deri në vitin 2020, pretendimet për trafikun e organeve njerëzore janë hetuar e stërhetuar nga “ushtri” hetuesish e prokurorësh ndërkombëtarë që kanë arritur në përfundimin se këto pretendime nuk kanë as standardin minimal për të ngritur akuzë penale.
Dhe, në të vërtetë, në aktakuzën e prokurorëve specialë në Hagë, ngritur në vitin 2020, nuk ka asnjë akuzë për trafikun e organeve njerëzore! As edhe një të vetme! Madje trafiku i organeve nuk përmendet fare në aktakuzë as si fjalë! As dhe u përmend fare në parashtrimin e aktakuzave këto ditë në Hagë gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit!
Në dritë të fakteve më sipër, për të nderuar të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe për të pastruar një njollë të padrejtë vënë Kosovës dhe Shqipërisë, (pretendimet në raportin e Dick Marty aludojnë dhe për veprimtari të kryer në Shqipëri), Kuvendi i Shqipërisë miratoi në Korrik 2022, me unanimitet, një Rezolutë me anë të së cilës i kërkohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të hedhë poshtë akuzat absurde dhe të pavërteta për trafikim organesh të qenieve njerëzore.
Shqipëria ka marrë mbështetjen e shumë anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke mbledhur nënshkrimet e nevojshme në një mocion për të nisur hartimin e një raporti vijues e mandej një rezolute të re që duhet të pranojë të vërtetën: se pretendimet për trafik organesh njerëzore në Kosovë e Shqipëri janë të pavërteta, të pathemelta e të paprovuara dhe duhet të njihen si të tilla nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.
Si anëtare e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, uroj dhe bashkë me kolegët do këmbëngulim, që kjo kërkesë e drejtë e Shqipërisë në Strasburg të pranohet, jo vetëm për të vendosur një të drejtë në vendin e vet, por edhe për kredibilitetin e vetë Asamblesë dhe forcimin e besimit në vlerat që ajo beson e mbron!
Integriteti i kauzës së drejtë të luftës së UÇK si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë së popullit në Kosovë, si reagim në mbrojtje të qytetarëve të pafajshëm në trojet e veta nga masakrat çnjerëzore, spastrimet etnike, deportimet, vrasjet, përdhunimet, plaçkitjet dhe nga krimet e luftës që kryheshin nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë, nuk mund të njolloset nga pretendime që rezultojnë të pathemelta dhe as nga procese gjyqësore që kanë patur si zanafillë pretendime të pavërteta!
Vërtet sot reja e zezë e pretendimeve të pavërteta për trafik organesh njerëzore mbi Kosovën dhe Shqipërinë është hequr, veçse po sot, ç’ka nisi 16 vjet më parë mbi këto të pavërteta, solli si rezultat atë proces që po zhvillohet në Hagë kundër liderëve të UÇK-së, pa heroizmin e sakrificat e të cilëve dhe shumë e shumë bijave e bijve të Kosovës, liria e pavarësia Kosovës nuk do ishin realitet dhe qytetarët e Kosovës nuk do të gëzonin të drejtat e një vendi të lirë e shtetit demokratik ku jetojnë sot!
Herët a vonë, drejtësia do të triumfojë!