Për fëmijët, është normale të vrapojnë, të luajnë dhe të jenë vazhdimisht në lëvizje.
Por kur kjo sjellje tipike kalon në hiperaktivitet, konkretisht në sindromën ADHD, atëherë duhet të tregohet një vëmendje e veçantë.
“Ne këtë e shohim që në kopësht, pra te 5-vjeçarët, mund të dallojmë fëmijë që i marrin lodrat me forcë, ia rrëmbejnë shokut, flasin pa radhë, duan të jenë ata të parët në çdo moment, në asnjë situatë nuk lënë hapësirë për të qenë dikush tjetër, apo për të qenë bashkëpunues me grupin.
Janë gjithmonë kundra grupit, janë vazhdimisht nervozë dhe dhe gjithmonë e kanë timbrin e zërit të lartë. ADHD apo e quajtur ndryshe si hiperaktiviteti është një çrregullim sjellje dhe është shumë e lehtë të diagnostikohet nga profesionistët, dhe të fillojë një terapi sjellje me fëmijët apo të rriturit.
Ne përditë shohim stereotipe të tilla prindërish që gjejnë lloj-lloj justifikimesh, pasi nuk e pranojnë që fëmija i tyre ka një problem. Ato thonë që është i përkëdhelur, është fëmija i parë, është i llastuar, ka qëndruar me gjyshen etj. Por në të vërtetë nuk janë këto arsyet. Thjesht me fëmijën duhet të punojmë dhe duhet të gjejmë se ku qëndron problemi dhe si ta zgjidhim atë. Shkaqet që çojnë në hiperaktivitet janë gjenetike fillimisht dhe abuzimet e nënave gjatë shtatzënisë, duke konsumuar alkool, duhan dhe substance të ndryshme.
Numri i fëmijëve me hiperaktivitet sa vjen dhe rritet dhe unë fajtore kryesore bëj nënat, kërkoj ndjesë, se jam edhe vetë nënë. Faj kryesor bëj mungesën e vëmendjes dhe mungesën e kohës efektive që kalojmë me fëmijët tanë. Nuk qetësohet fëmija duke i lënë celularin në dorë, por qetësohet duke u ulur dhe duke lozur bashkë“, shpjegon Gejsi Anamali, psikologe shkollore.