Kryeministri Edi Rama e ka ndalur turin e takimeve të tij në Eco Parkun e Porto Romanos në Durrës, ku të pranishëm janë nxënës shkollash.
Rama deklaroi se në Durrës do të hapet akademia më e madhe e futbollit. Duke u ndalur te fushata elektorale, Rama tha se Igli Cara mund të jetë djalë i mirë, por nuk kishte dalë për të bërë krushqi. Mes të tjerash ai tha se nëse qytetarëve iu duhet një pastruese për qytetin, kanë një grua, siç është kandidatja socialiste.
“Do sjellim në Durrës një nga akademitë më të mëdha të futbollit. Duam ta sjellim në Durrës, një akademi rajonale e futbollit që do të jetë për të sjellë talentet dhe më pas do të përgatiten për arenën ndërkombëtare. Paralelisht me akademinë e futbollit do të jetë dhe një shkollë e futbollit për fëmijët, që do të jetë një strukturë e mbështetur te garancia e talenteve. S’mund të themi emrin e skuadrës, por kur do ta dëgjoni, do thoni; ohu! Do e mbajmë veten. Kam nevojë për ju, se meqë keni ardhur këtu, e keni ndarë mendjen për të votuar Anin. Po kërkoj që ju të merrni shumë më tepër vota. Edhe ai tjetri mund të jetë djalë i mirë, por unë jam i martuar dhe nuk kam motër. Nuk jam këtu për krushqi. Këtu çështja është; je djalë i mirë, por a ma bën punën apo jo. Ti nuk mund të marrësh një pastrues të djathtë, që i ka duart e thara. Po qe për pastrues, merr një grua dhe jo një burrë.”, tha Rama.