Ilir Meta u shfaq si mish i huaj në tubimin e hapjes së fushatës të koalicionit Bashkë Fitojmë. Në stadium nuk u pa asnjë flamur i Partisë së Lirisë dhe për më tepër ai u detyrua që në shkallët e stadiumit që të shihte e dëgjonte dokumentarin e përgatitur nga Berisha për historikun e Partisë Demokratike.

Por ai, vula e regjistrimit në zgjedhje, ishte bileta e tij për të hyrë në atë stadium të mbushur me mbështetësit e Berishës. Vula, që Berishës i mungon, e ngjiti Metën turra-vrap drejt foltores duke i dhënë udhë momentin kur të pranishmit nisën largimin masiv nga stadiumi.

Hapi nxitimthi i Metës drejt foltores së Berishës është përforcimi i zërave që flasin për një padurim të kryetarit të Partisë së Lirisë për të marrë frenat e opozitës në dorë.

Për këtë ndoshta pret 14 majin dhe dështimin e doktorit. Ose ndoshta fitoren e doktorit dhe përmbushjes së një profecie që qarkullon në formë thashethemi në disa portale që Berisha do të marrë edhe siglën e vulën e PD-së dhe t’i fusë në xhepin e Ilir Metës.

Cilido qoftë skenari, ajo që si Berisha ashtu edhe Meta e dinë mirë, është që me emrin e tij në fletën e votimit nuk tërheqin më shumë vota, përkundrazi. Kjo është arsyeja se përse koalicioni Bashkë Fitojmë nuk ka një emër kryetari të partisë udhëheqëse në fletën e votimit.(Voxnews.al)