Inter dhe Juventus, në aktin e radhës të rivalitetit të jashtëzakonshëm, zbresin në fushë të mërkurën mbrëma në kërkim të një bilete për finalen e Kupës së Italisë. Me kujtimet e polemikave dhe tensionit të ndeshjes së parë ende të freskëta, me atë gol të Lukakut që ekuilibroi shifrat në 1-1 gjithçka mbetet e hapur. Të dyja skuadrat janë gati të shkarkojnë gjithë bateritë në një ndeshje ku luajnë shumë. Jashtë luftës për titull në kampionat, zikaltër e bardhezinj shohin shansin e vetëm për lavdinë brenda territorit Italian, pikërisht te Kupa, me Interin që kërkon të mbrojë trofeun e fituar sezonin e kaluar pikërisht përballë bardhezinjve me atë sukses 4-2 të gatuar nga dygolëshi i Perisic në shtesën e finales. Gjithsesi, tani një tjetër histori është gati të shkruhet dhe në të dy kampet, Simone Inzaghi dhe Allegri kanë gati planin e një beteje të jashtëzakonshme.

INTER

Dy janë dyshimet në mendjen e Simone Inzaghit, për një sfidë ku mbështetja pritet të jetë e jashtëzakonshme në një San Siro ku janë shitur të gjitha biletat. Dyshimi më i madh i përket partnerit në sulm të Lautaro Martinez, Lukaku apo Dzeko?

Sulmuesi belg është karikuar nga dygolëshi ndaj Empolit, ku Interi rigjeti dyshen e sulmit që sillte titullin, por trajnerin i duhet të menaxhojë forcat e të gjithëve në një finale intensive sezoni mes Kupës së Italisë, gjysmëfinaleve të Champions dhe luftës në kampionat. Për këtë arsye kandidatura e Dzekos që ishte pushim ndaj Empolit është me kuotuara me një stafetë mes sulmuesve me ndeshjen në zhvillim e sipër. balotazhi i dytë është në kabinën eregjisë, kush do të jetë mes Brozovic dhe Calhanoglu?

Në Empoli ishin të dy titullarë, kundër Juves me shumë mundësi do të ketë hapësirë për kroatin përkrah Barela dhe Mkhitarian, me Dumfries dhe Dimarco nga krahët. mes shtyllave do të jetë Onana dhe në mbrojtje Darmian e Bastoni. Inter duhet të bëjë kujdes me kartonat e verdhë, pasi Onana, Dimarco, Gosens, Brozovic, Correa, Lautaro e Lukaku nëse ndëshkohen humbasin finalen e programuar në 24 maj.

JUVENTUS

Një finale ku do të jetë një Juventus e orientuar nga sulmi. Pas barazimit në ndeshjen e parë, Danilo dhe shokë kërkojnë një fitore për të shkuar në finalen e Romës. Allegri, pasi e la në stol ndaj Napolit, synonte rreshtonte nga minuta e parë Vlahovicin me Di Marian dhe Chiesan nga krahët, por serbi është dëmtuar dhe vështirë se mund të rikuperohet, siç deklaroi vetë Allegri në konferencë për shtypin.

Teknikut i duhet një zgjedhje kurajoze, edhe sepse sulmi bardhezi së fundmi është shfaqur me barutin e lagur me 5 gola të shënuar në 7 ndeshjet e fundit në total. Në portë do të jetë Perin, ndërsa në mbrojtje duhet të rikthehet Bremer, kërkon një vend titullari dhe Alex Sandro, ndërsa De Sciglio është në “pole position” për të zëvendësuar të skualifikuarin Cuadrado.

Allegrit i mungon edhe Kean, që nuk do të jetë për shkak të një problemi muskular, një problem jo i vogël për trajnerin bardhezi, që ka nevojë dëshpërimisht për gola në këtë finale sezkoni, duke nisur nga kjo sfidë vendimtare përballë rivalëve të përjetshëm.