Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi e konsideroi të papranueshme posterin e kandidatit të aleancës “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi me gishtat e mesit.

Postimi i plotë:

Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes konstatoi përmbajtje jo të përshtatshme në posterat elektorale të vendosura në zona të ndryshme të Tiranës. Përdorimi i imazheve dhe gjesteve fyese në fushata elektorale që cenojnë dinjitetin e njeriut janë të papranueshme dhe të sanksionueshme me ligjin zgjedhor.

Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes vlerëson vendimmarrjen e fundit të Komisioneri Shtetëror të Zgjedhjeve për heqjen e bilbordeve denigrues duke nxitur subjektet zgjedhore të vetpërmbahen për të pasur kujdes edhe në mesazhin që iu jepet gjeneratave të reja. Partitë politike nuk duhet të heqin dorë nga roli edukues dhe modeleve pozitive për shoqërinë.
Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes nxit subjektet zgjedhore të japin shembullin e mirëkuptimit, dialogut dhe paraqitjen e alternativave më mira në dobi të komuniteteve që do qeverisin pas zgjedhjeve.

Përgjegjshmëria, kujdesja për fjalën e mirë është veti e liderëve të komuniteteve. Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes vë në dukje se Kodi i sjelljes për Partitë politike në Shqipëri i nënshkruar nga subjektet zgjedhore bazohet në respektimin e dinjitetit të barabartë të të gjitha qenieve njerëzore, lirinë e shprehjes dhe mendimit, dialogun demokratik, tolerancën dhe respektin e ndërsjelltë, duke luftuar kundër të gjitha formave të pretenduara të epërsisë së një grupi ndaj të tjerëve, si dhe diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes.