Inter ndal serinë e humbjeve në shtëpi, në kampionat, teksa ka përmbysur Lazion në 12 minuta në “San Siro”, në një nga sfidat më spektakolare. Bardhekaltrit kaluan të parët në avantazh me anë të Felipe Anderson, i cili shfrytëzoi një gabim të Acerbit dhe çoi skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes në avantazh.
Pjesa e dytë foli tërësisht për zikaltrit, që pasi humbën disa mundësi shënimi, rikthyen baraspeshën në minutën e 78’ me anë të Lautaro Martinez, që shfrytëzoi një asist të Lukakut për të dërguar topin në rrjetë.
Vetëm 5 minuta më vonë ishte Lukaku sërish që asistoi në mënyrë perfekte për Gosens, me gjermanin që shtyu mirë topin në rrjetë, duke përmbysur rezultatin dhe kthyer zikaltrit në avantazh.
Në të 90-ën ishte Vecino, që si një ish-zikaltër, i dha një dhuratë Lautaros, me argjentinasin që nuk gaboi përballë portierin, duke vulosur fitoren e Interit dhe dopietën personale.
Me këtë fitore Interi ngjitet në kuotën e 57 pikëve, aq sa kanë edhe Milani e Roma, ndërsa Lazio mbetet në kuotën e 61 pikëve në vendin e dytë, por tashmë i ka dhënë mundësi Napolit, që në rast fitoreje, të hapë zyrtarisht shampanjën e titullit.