Autori i vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave më 1 Mars 2023 në Tiranë, Dan Hutra ka dhënë një intervistë nga burgu 302 për emisionin Uniko.
Hutra ka treguar se si u njoh me Alketa Hysën, të cilën më 1 Mars i vrau motrën dhe kunatën, si dhe plagosi vetë Alketën (Elenën) dhe nënën e saj. Ai thotë se më 14 Maj 2022 u njoh me Alketa Hysën përmes shkuesisë dhe po atë ditë shkoi të takonte familjen e saj, ndërsa 1 ditë më pas shkuan në shtëpinë e tij në Kukës ku organizuan edhe një drekë familjare.
INTERVISTA:
Spartak Koka: Kur ke lindur dhe ku je rritur?
Dan Hutra: Unë kam lindur në 1982 më 1 Gusht, kam lindur në Kukës dhe aktualisht pasaportizimin e kam në Kombinat. Por kam vite që nuk kam jetuar në Kombinat.
Spartak Koka: Në cilin vit je larguar nga Kukësi.
Dan Hutra: Nga Kukësi jam larguar në vitin ’94. Kam jetuar në Durrës. Aty m’u vra plaku, siç jeni pak e shumë në dijeni edhe jemi larguar nga atje, kemi blerë këtë shtëpinë në Kombinat, kam jetuar shumë vite jashtë shtetit pasi kam emigruar qysh në moshën 13 vjeç e 8 muaj kam ikur nga Shqipëria. Në 2007 kam rënë në burg për vrasjen e….
Spartak Koka: Cili është arsimimi juaj?
Dan Hutra: Arsimimi im është 2 klasë.
Spartak Koka: Në cilin vit ke emigruar?
Dan Hutra: Unë kam ikur në emigrim për herë të parë në ’95-’96.
Spartak Koka: Për shkak të cilës arsye?
Dan Hutra: Ashtu ishte atëherë koha, u hapën kufijtë.
Spartak Koka: Ku ke emigruar? Në cilin vend dhe çfarë pune ke bërë?
Dan Hutra: Unë kam qenë në Greqi, Holandë, Gjermani.
Spartak Koka: Dhe kur je kthyer prapë?
Dan Hutra: Shkoja dhe vija.
Spartak Koka: (Ngjarja e 1 Marsit) Si ndodhi? Cilat janë shkaqet e sjelljes që solli një tragjedi kaq të rëndë dhe kaq të papërshkrueshme me fjalë?
Dan Hutra: Është e vërtetë, është shumë e rëndë. Edhe unë për asgjë nuk dua ta justifikoj veten por unë nuk kam parë rrugë tjetër. Gjithsesi, unë në polici atë natë kur jam arrestuar nuk kam dhënë shumë detaje, kam sqaruar se për çfarë i kam bërë vrasjet por jo me detaje.
Spartak Koka: Do na i japësh këto detaje sot?
Dan Hutra: Patjetër që po. Do t’ia nis më së pari me ish-nusen ose unë nuk mund ta quaj nuse por deri sa gazetarët e çmojnë nuse dhe unë ashtu do ta quaj.
Spartak Koka: Ke bërë një ceremoni, një drekë familjare, një shkëmbim të unazave.
Dan Hutra: Unë do jap shkakun që më ka çuar drejt asaj rruge. Më datë 14 Maj 2022, me anë të shkuesisë njihem me Alketën.
Spartak Koka: Kush është shkuesi?
Dan Hutra: Shkuesi është Sabri Goci. E di ajo. Jam njohur atë ditë. Kam pirë kafe atë ditë me Alketën, kam shkuar te familja e Alketës, jemi takuar me familjen e Alketës, kemi diskutuar, të nesërmen kam mbledhur unë familjen, kemi dalë të dy familjet, kemi pirë kafe dhe kemi rënë dakord të vazhdojmë domethënë…
Spartak Koka: Më datë 14 je njohur, në datë 15 keni bërë shkëmbimin?
Dan Hutra: Jo, jo. Domethënë në datën 14 jemi njohur, kam ikur unë po atë ditë që kam njohur Alketën kam shkuar te familja e Alketës.
Spartak Koka: Po atë ditë, brenda ditës?
Dan Hutra: Po, kisha dëshirë t’i njihja edhe familjen. Dhe të nesërmen jemi takuar të dy familjet. Pastaj, pas ca ditëve e kam marrë te shtëpia Alketën dhe kishim drekë, banket le ta quajmë, drekë të thjeshtë, në qytetin e Kukësit.
Spartak Koka: Drekë të thjeshtë?
Dan Hutra: Po normal, prej 50-60 vetësh.
Më pas ai flet për fillesat e njohjes me Alketën.
Dan Hutra: Pas 22 ditëve Alketa dyshon për një shtatzëni. Dhe del me plakën time dhe marrin një test shtatzanie dhe e kryejnë. Dhe rezulton që ishte shtatzanë. Kam qenë në Kamzë, kur më ka marrë në telefon dhe më kanë thënë..domethënë më tregoi që ishte shtatzanë. Jam gëzuar shumë, kam ndaluar makinën se kisha frikë që do bëja ndonjë aksident ose ndonjë gjë, ishte dita më e lumtur e jetës time. Jam ndalur në ca dyqane, kam kryer ato që kryen një mashkull, detyrimet që i takojnë një mashkulli ca unaza, ca lule ca budalliqe. Kam shkuar e kam marrë familjen e Alketës dhe kam vajtur te shtëpia bashkë me të. Kam lajmëruar gjithë njerëzit në Kukës, dhe po atë ditë kam bërë një drekë shumë të madhe në Tiranë. Të nesërmen, duke u mundur duke u interesuar për ta, e marr dhe e çoj dhe i bëj një eko. I bëri ekon doktoresha në Kamzë, më thotë që nusja është 45 ditë shtatzënë. Ndërkohë unë kisha 22 ditë fiks që isha njohur jo që kishte fjetur te shtëpia ime. Ia nisa duke qeshur unë. Pse qesh? Se thashë unë 22 ditë kam që e njoh krejt atë. Ajo u pre domethënë, u befasua. Më thotë, shiko tha që të jesh i sigurt shkoi bëji një analizë gjaku. Kam marrë Alketën, kam zbritur poshtë në makinë dhe e kam çuar në një klinikë të Spitalit Amerikan ku ka dhënë gjakun për analiza dhe më thonë: Sot është e premte, do t’i çojmë nesër analizat, na jep numrin e telefonit. Dhashë numrin e telefonit, m’i çuan në ëhatsApp. Ndërkohë, unë ja mora numrin doktoreshës. Se tha merri analizat edhe m’i sill mua. Dhe merren analizat me telefon, ia dërgoj doktoreshës. Thotë, shiko Dan, konfirmimi i analizave është baras me ekon, domethënë nusja ishte 45 ditë shtatzënë. Realisht nuk u ndjeva mirë. Dhe shkova në shtëpi, siç kishin dalë analizat, nuk doja ta vazhdoja fare këtë bisedë. I thashë, ditën e hënë do të të çoj tek një specialist, të isha i sigurt.
Si ndodhi masakra më 1 mars?
Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, e cila është shtatzënë, si dhe plagosi vetë Elenën e nënën e saj, Kujtime. Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. Arratia e Dan Hutrës mori fund pas 7 orësh kërkime. Ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës ku kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Sela, por që nuk e realizoi dot. 40-vjeçari është dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje. Në gjyq, ai nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera.