Genjeshtrat mbi diplomës së shkollës së mesme, duke manipuluar fillimisht universitetin amerikan “Coppin University” dhe më pas duke mashtruar edhe institucionet shqiptare, që i kanë bërë njohjen e diplomës Bachelor si po ishte Master shkencore, ngre pikëpyetje të shumta edhe mbi punësimin e Belind Kelliçit në Shqipëri pas kthimit nga SHBA.
Duke iu referuar CV-së zyrtare të tij, të publikuar nga vetë Këlliçi, menjëherë pas kthimit nga Amerika, kandidati i dyshes Berisha-Meta deklaron se ka filluar punë si drejtor në Agjencinë Kombëtare të Turizmit (2009-2011), kohë që përkon me drejtimin e qeverisë nga Sali Berisha. (shih faksimile).
Por, për t’u punësuar në këtë pozicion në 2009, Këlliçi e ka pasur detyrim ligjor që të depozitonte edhe diplomën e njehsuar të shkollës së lartë të marrë në SHBA. Gjë të cilën nuk e ka bërë sepse një dokument i Ministrisë së Arsimit, që publikuam disa ditë më parë, vërtetoi se njehsimi i diplomës së tij është bërë vetëm në vitin 2010, pra gati një vit e gjysmë pasi Belind Këlliçi kishte filluar punë në shtet. (shih faksimile)
Pas skandalit për mungesën e diplomës së shkollës së mesme, ky është një tjetër skandal i rëndë dhe me pasoja për Këlliçin, pasi ngre pikëpyetje të shumta se mbi çfarë kriteresh Belind Këlliçi është pranuar në punë nga një institucion shqiptar pa pasur diplomë të njehsuar sipas ligjit shqiptar, dhe aq më tepër në një pozicion drejtues, si Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Kjo është një shkelje ligjore sepse Këlliçi ka përfituar padrejtësisht rrogën si Drejtor, për një vit e gjysmë, pa pasur diplomën përkatëse që duhet për një pozicion të tillë, duke i bërë dëm ekonomik shtetit shqiptar. Pas publikimit të këtij fakti të rëndë, Këlliçi është i detyruar që të kthejë paratë që ka përfituar si rrogë nga shteti shqiptar si drejtor, gjatë periudhës kur ai ka punuar në administratë pa pasur diplomë të njehsuar. Përveçse ka mashtruar sërish, paratë që ka përfituar në këtë periudhë janë në kundërshtim me ligjin, pasi Këlliçi nuk mund ta ushtronte detyrën e drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, pa diplomën përkatëse.
Nga ana tjetër, punësimi i tij si Drejtor menjëherë pas kthimit nga SHBA dhe pa asnjë eksperiencë tjetër pune, as në administratë dhe askund tjetër, ngre dyshime shumë të forta se drejtuesit e Ministrisë së Turizmit e kanë bërë njërin sy qorr, duke e punësuar Këlliçin pa diplomë të njehsuar sipas ligjit. Një praktikë nepotike, e cila ka qenë shumë e përhapur në kohën kur qeveria drejtohej nga Sali Berisha.
Mirëpo, të gjitha punësimet e tij nga 2009 e këtej duket se kanë qenë të planifikuara dhe pa ndonjë meritë konkrete, por thjesht disa emërime nepotike të diktuara “nga lart”. Njësoj ka ndodhur më pas edhe në Bashkinë e Tiranës, kur drejtohej nga Lulzim Basha në vitet 2011-2015, ku Këlliçi është emëruar në rolin e drejtorit të Rinisë.
Po të shohësh historikun e tij, eksperienca në punë e Këlliçit është vetëm si i emëruar nëpër pozicione komode të administratës shtetërore dhe asgjë tjetër. E njëjta gjë ka ndodhur edhe tani, kur çifti Meta-Berisha e morën dhe e kandiduan për Bashkinë e Tiranës, pa ndonjë meritë reale. Diçka që të kujton Lulzim Bashën e vitit 2011, ku po i njëjti çift e katapultuan në bashki.
Skandali me njehsimin e diplomës
Edhe njehsimi i diplomës së Këlliçit pa kryer më parë të plotë shkollën e mesme në vitin 2010, gjatë qeverisjes së Berishës, është një shkelje flagrante dhe e rëndë e ligjit, pasi njësimi i diplomës është bërë në premisa të rreme. Ndërkohë, Ministria e Arsimit, siç tregohet nga shkresa e kthimit të përgjigjes nëse Këlliçi e kishte kryer Maturën Shtetërore të vitit 2006, ka qenë në dijeni të faktit se ai nuk e kishte përfunduar shkollën e mesme.
Po ashtu, edhe Belind Këlliçi e ka ditur se për të kryer me sukses njësimin e diplomës sipas ligjit shqiptar, duhet detyrimisht të kishte përfunduar shkollën e mesme. Kjo provon qartë që ai ka gënjyer me dijeni të plotë se ka shkelur ligjin dhe etikën. Pas këtyre fakteve të reja, njësimi i diplomës së shkollës së lartë të Këlliçit pa pasur më parë atë të shkollës së mesme, ngre pikëpyetje të shumta mbi kriteret e punësimit të Belind Këlliçit edhe në administratën shtetërore./Shqiptarja.com