Masimo Morati nuk e ka kursyer trajnerin aktual të Interit, Simone Inzagi, në intervistën e tij për “Radio Anch’io lo Sport”, por çuditërisht nuk ka kursyer as lëvdatat për Masimiliano Alegrin, diçka e pazakontë për të.

Ish-presidenti i Interit ka analizuar momentin e zikaltërv duke bërë fajtor edhe 46- vjeçarin, ndërkohë që komplimenton rivalin juventin në vigjilje të gjysmëfinales së parë të Kupës së Italisë mes skuadrave.

“Nuk e di çfarë ka ky Inter, por sigurisht që Simone Inzagi është një problem. Në çdo rast është ai trajneri dhe ka përgjegjësi për skuadrën. Fatkeqësisht rezultatet nuk kanë mbërritur dhe për më tepër, ajo që më vinte keq kundër Fiorentinës ishte se kishte një mungesë të dukshme grinte, përveç rezultatit që ishte pa dyshim shqetësues. Dukej si një ndeshje miqësore, kur në fakt nuk ishte e tillë dhe duhej fituar me çdo kusht. Interi duhet të sigurojë patjetër kualifikimin në Champions League, është objektiv i panegociueshëm”, e ka nisur fjalën e tij Morati.

I pyetur nëse vetë ai do ta shkarkonte trajnerin, u përgjigj: “Nuk ia lejoj vetes të them diçka, kam ndryshuar shumë trajnerë për t’u marrë si shembull. Ka ndeshje të vështira, skuadra nuk duhet të pësojë tronditje, por duhet të ketë një thirrje zgjimi. Tek Interi ka president dhe drejtues që do të gjejnë zgjidhje. Konte? Mendoj se është treguar shumë i zoti dhe garanton fitore”.

ALEGRI- Morati nuk e fshehu në fund vlerësimin për punën që Alegri po bën te Juvja.

“Alegri po bën shumë mirë, në një situatë që do të ishte e vështirë për të gjithë. Nuk është e lehtë për lojtarët, për klubin dhe për asnjë faktor tjetër te Juventusi ajo që po kalojnë, por Alegri ia ka dalë të grumbullojë shumë pikë. Është merita e madhe e trajnerit, ka bërë si duhet çdo gjë që i takon, pastaj gjërat do të shkojnë si kanë për të shkuar”.