Ish-kreu i UÇK-së, Rexhep Selimi, sërish para Dhomave të Specializuara tha se nuk ka të bëjë me asnjë nga krimet e pretenduara në aktakuzën ndaj tij.
“Jemi këtu përballë një aktakuze që ende vazhdojmë ta konsiderojmë të pabazuar mbi fakte dhe argumente”, u shpreh Selimi në ditën e dytë të gjykimit ndaj tij dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.
Ai shtoi se shpreson që në fund të procesit do të vërtetohet pafajësia e tij.
“Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallë herë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia. Gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris: unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Por, pavarësisht kësaj unë qëndroj sot përballë jush me besimin e plotë se në fund të këtij procesi ju do të vendosni në favor të pafajësisë time”, tha ai.
Selimi deklaroi se Kosova nuk kishte një ushtri të mirëfilltë, të organizuar mirë, kishte mungesë të armëve e njerëzve. Sipas tij, Kosova nuk do ta zgjidhte kurrë luftën, por lufta “ishte domosdoshmëri për mbijetesë”.