Të tjera detaje kanë dalë nga arrestimi i Ramazan Rrajës, një person i njohur në botën e krimit, i cili ra në pranga pak ditë më parë. Report Tv mëson se në momentin e arrestimit, Ramazamn Rraja iu ka ofruar efektivëve para në këmbim të lirisë.

‘Ju jap sa para të doni, vetëm më lini të iki’ mësohet t’iu ketë thënë Ramazan Rraja policëve, me qëllim që ata ta lironin atë dhe Elton Llozhin.

Ramazan Rraja, i shpallur në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, u arrestua më 19 prill në një lokal në Fushë-Krujë. Gjatë operacionit për arrestimin e Rrajës, policët kanë qenë të veshur me maska, veshje dhe armatim operacional. Ata kanë pasur informacion të saktë për lëvizjet e Rrajës dhe kanë ndërhyrë pikërisht në momentin që ai ka shkuar në lokal, ku kanë bllokuar edhe të dyja dyert e lokalit për arrestimin e tij.

Në momentin e arrestimit, Ramazan Rrajës, nipit të deputetit socialist Rrahman Rraja, iu kap një pistoletë me një plumb në fole, gati për qitje. Ramazan Rraja, sipas policisë që nga momenti i shpalljes në kërkim nuk është larguar në asnjë moment në Dubai, por fshihej në trekëndëshin “Durrës-Lezhë -Tiranë”.

Në momentin e arrestimit 30-vjeçari, shoqërohej edhe nga një njeri tjetër i botës së krimit, 39-vjeçari Louis Konomi alias Elton Llozhi, i shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit për “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryer në bashkëpunim.

Në 20 janar 2023 për atentatin ndaj Ndojës u arrestuan Genti Ndërjaku alias Akil Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija. Në 22 shkurt u arrestua në Abu Dhabi Amar Dritan Shkëmbit, në kërkim për atentatin janë edhe Julian Meçaj dhe Plaurent Dervishaj.

SPAK pretendon se Ramazan Rraja, bashkë me kushëririn e tij dhe persona të tjerë kanë organizuar atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja më 1 nëntor 2019. Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe u plagos Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.

Ramazan Rraja është pyetur nga policia në muajin tetor të vitit të kaluar, edhe për vrasjen e trefishtë të mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mes të vrarëve ishte kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj. Ramazan Rraja ka qenë në kërkim policor për vrasjen e trefishtë të mbikalimit të Fushë-Krujës për t’u marrë në pyetje, por në atë kohë nuk është gjetur. Në muajin tetor, pasi është kthyer nga jashtë është paraqitur personalisht dhe më pas është lënë i lirë.

Kujtojmë se Rraja po ashtu, në 2021 u shpall në kërkim pasi hyri i maskuar e i armatosur në një lokal. Ramazan Rraja po ashtu më herët u arrestua në Belgjikë dhe Gjermani për drogë.