Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike tregoi faktet mbi të cilat sipas tij KAS rrëzoi kërkesën e Partisë së Lirisë për të vendosur emrin e Sali Berishës në fletën e votimit.
Sipas tij, KAS ka zbatuar vetëm ligjin, që përcakton që emri në fletën e votimit duhet të jetë i kryetarit të partisë që udhëheq koalicionin.
“Në asnjë moment nga koalicioni “Bashkë fitojmë” nuk është bërë kërkesë për vendosjen e ndonjë emri, por vetëm pasi u ankimua nga PD që të mos jetë asnjë emër në fletën e votimit. Është detyrim ligjor që koalicioni të përfaqësohet nga një emër.
Në të gjitha komunikimet që kemi pasur me komisionerin ne kemi vënë disa herë në dukje faktin që propozimi për të mos vënë emër në fletën e votimit është në kundërshtim me kodin zgjedhor.
Partia e Lirisë është partia udhëheqëse e koalicionit. Që të shkosh në kolegj duhet të ankimosh vendimin e komisionerit lidhur me fletët e votimit, ata kanë hyrë si palë e interesuar pas padisë së bërë nga PD”, tha Sefa.