Kandidati për kryetar bashkie i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko, ishte sot ftuar në studion e “Top News”, ku shpalosi projektin e tij politik për ringritjen e së djathtës.
Parti Demokratike futet në zgjedhjet lokale të 14 majit, e ndarë në dy pjesë, nga njëra anë është z. Berisha, dhe nga ana tjetër është z. Enkelejd Alibeaj. I pyetur në studio nëse mendon se do arrijnë ata që përfaqësojnë pjesën zyrtare të Partisë Demokratike ringritjen e kësaj force politike, forca e dytë më e madhe në vend, Roland Bejko u përgjigj:
“Jo vetëm që do ta ringrejmë Partinë Demokratike por do ta bëjmë atë një Parti Demokratike të vërtetë, një Parti Demokratike, jo një parti kryetari, siç ka qenë deri më sot, por do të jenë forumet e partisë, ato që do vendosim, dhe më tej anëtarësia. Do të fusim parimin e referendumeve brenda partisë, për vendim-marrjet e mëdha politike, pra, do të jetë një parti politike, ashtu siç i ka munguar shqiptarëve në këto 30 vite. Ajo që i ka munguar shqiptarëve ne do t’ia japim menjëherë pas datës 15 maj, kur të përfundojnë zgjedhjet. Pas 15 majit e në vazhdim do të bëjmë me vendim kryesie, organizimin në të gjitha nivelet. Tashmë për të bërë një Parti Demokratike, model në të gjitha partitë në Shqipëri, sepse si do të jetë partia demokratike nesër, në ato të pas zgjedhjeve, ose sot, ashtu do të jetë dhe Shqipëria nesër”.
“Po nuk bëmë një parti demokratike, nuk mund të kemi një pushtet demokratik. Raportet e pushteteve në Partinë Demokratike, do të jenë raporte me pushtetet e ndara, të balancuara dhe të kontrolluara. Asnjë pushtet nuk do të dominojë asnjë pushtet tjetër brenda PD-së. Kjo do të jetë ofertë jonë për të gjithë demokratët dhe shqiptarët. Dhe ato demokratë që do ta kuptojnë që me Berishën nuk kanë perspektivë dhe nuk do të vinë dot në pushtet, siç e thonë dhe bashkë-punëtorët e tij më të afërt, por siç e thonë dhe avokatët mediatikë të z. Berisha kur e pyesin, ku i themi: – A ka shanse të vijmë me z. Berisha në pushtet nesër, në kushtet që është, edhe sikur të bashkohemi të gjithë?!
-“Jo nuk ka shanse” – thonë. Pse? Sepse Berishën e refuzon perëndimi dhe sipas sondazheve e refuzojnë edhe shumica e shqiptarëve. Edi Ramën natyrisht, qëndron në pushtet se përballë si alternativë ka Sali Berishën dhe Ilir Metën, dhe në këto kushte, edhe faktorë të tjerë të partnerëve ndërkombëtarë. Shqiptarët thonë se zgjedhim të keqën më të vogël që në rastin konkret është Edi Rama, i cili është kryeministri më i korruptuar, që ka pasur në histori Shqipëria ose që ndërtoi sistemin më të korruptuar të qeverisjes në Shqipëri në këto 32 vite.
Në ringritjen e Partisë Demokratike, ato do të jenë ata që sot janë bërë pjesë e Rithemelimit, figurat kryesore të Partisë Demokratike, pjesë e ringritjes së PD-së?
“Si frymë, se si emra nuk flas dot, por si frymë, në proceset e Partisë Demokratike, do të jetë anëtarësia ajo që do të vendosë me votën e saj, se siç e thashë nuk do të ketë më diktim, e as telefonata, me skema, nuk do të ketë procese primaresh me gjasmë, sa për t’i hedhur hi syve të opinionit publik, por procese primaresh të vërteta, ku kandidatët nuk do të zgjidhen të urdhëruara nga Tirana me telefon, siç ndodhi me Primaret e Sali Berishës. Natyrisht primaret do të jenë me ballafaqim, me platforma, me rregulla, ashtu siç kanë zgjedhur edhe në vende të tjera perëndimore”.
“Se kë do të zgjedhin demokratët, do të vendosin ata. Vetëm di se ata demokratë që kanë qëndruar këtej nga ana jonë, janë demokratët që s’kanë ndarë asgjë në raport, në të shkuarën, s’kanë ndarë pushtet, s’kanë ndarë para, kanë ngelur të pastër në besimin e tyre, në Partinë Demokratike dhe idealet e djathta. Kështu që mendoj që njerëzit, që kanë një perceptim publik, njerëz që kanë futur duart në korrupsion apo janë të lidhur me elitat e korruptuara shqiptare e të gjitha krahëve politike, natyrisht demokratët e kanë këtë lloj perceptimi dhe janë ata që do dinë të bëjnë diferencën me votë”, u shpreh Roland Bejko.