Në takim me banorët e fshatit Moravë, kryetari aktual i bashkisë Korçë dhe njëherazi kandidat për këtë bashki në zgjedhjet e 14 majit tha se viti i ardhshëm do të sjellë më shumë mundësi për fshatin për të ecur me ritme më të shpejta.
E teksa u ndaj te projektet e ndryshimeve në infrastrukturë, ai tha se shumë shpejt do të fillojë projekti për kanalizimet dhe impjantin e trajtimit të ujërave.
“Lajmi i mirë për Moravën dhe fshatrat e tjera është që ne këtë vit, me këto projekte që po bëjmë në qytet, në zonën e ish-fushës së druve dhe zonën informale e kompletojmë qytetin sa i përket infrastrukturës. Ç’ka do të thotë se duke filluar nga viti tjetër, 90% e fondeve të bashkisë dhe të qeverisë do të përqëndrohen për fshatrat e bashkisë tonë. Kemi mundësinë që edhe për fshatin e Moravës të ecim me ritme të shpejta. Kemi bërë një projekt për fshatrat e fushës dhe shumë shpejt fillojmë projektin për kanalizimet dhe impjantin e trajtimit të ujërave”, u shpreh Filo.
Gjithashtu në fjalën e tij për banorët e fshatit, ai tha se projektet që bashkia ka në fokus do të përmirësojnë ekonominë familjare për banorët e Moravës, duke rritur mirëqenien dhe duke krijuar vende të reja pune.
“Një pikë e rëndësishme është edhe ekonomia familjare. Ne kemi menduar mundësi për Moravën. E para është projekti që duam të fillojmë në afërsi të fshatit tuaj për të ndërtuar një qendër të madhe të eventeve, panaireve dhe jetës së natës. Është një projekt i madh që fillon nga puna shumë shpejt dhe do të krijojë vende pune edhe kur të ndërtohet por edhe kur të vihet në shfrytëzim. Por edhe përmirësimin e ekonomisë familjare për banorët e Moravës, duke rritur mirëqenien dhe duke krijuar vende të reja pune. Kjo sipas tij falë projekteve zhvillimore që bashkia ka në fokusin e saj”, përmbylli kandidati i Partisë Socialiste.