Mero Baze
Çdo ditë në orën 12:00, thuajse gjithë televizionet japin lajm konferencën për shtyp të Sali Berishës, për të vrapuar disa orë më vonë të japin live dhe daljen e tij të dytë për prezantimin e një kandidati, ku më së paku flitet për të.
Në të gjitha daljet personazhi kryesor i fushatës është Sali Berisha dhe kundërshtari i tij kryesor duket që nuk është më Edi Rama, por Erion Veliaj.
Në ligjërimin e sotëm, ai u mor me çdo detaj të fushatës së Veliajt, hodhi poshtë çdo arritje të tij dhe sulmoi çdo premtim, a thua se është kandidati për kryebashkiak i Tiranës.
Madje dhe gjithë kandidatët e PD në gjithë Shqipërinë, aq pak sa janë, i quajti kandidat të Erion Veliajt.
Po pse Berisha po flet në emër të Belind Këlliçit?
Të thuash që Belind Këlliçi nuk i thotë dot këto broçkulla që thotë Sali Berisha se i vjen turp, nuk është realiste. Ka thënë dhe gjëra më banale se kaq, nga ato që i pëlqejnë Berishës.
Të thuash që Belind Këlliçi nuk i thotë se ruan proflin e tij “intelektual” dhe nuk do të thotë banalitete, përsëri nuk është realiste, pasi nuk është se ai po thotë gjëra më të mençura. Por thjesht Berisha nuk po i lë radhë në këtë pikë.
Të thuash që Belind Këlliçi ka frikë t’i thotë ato broçkulla se humbet elektorat, është po prapë e pabesueshme, se fuqia e zërit të Berishës në elektorat, konkretisht dëmi që mund të bëjë me këtë rast, është më i madh se dëmi që mund të bëhet kur i thotë Berisha.
I vetmi shpjegim është se Sali Berisha po sillet si kandidat për kryebashkiak, pikërisht që të identifikohet me fushatën dhe të masë votën pro, ose kundër tij. Dhe e bën këtë jo vetëm si protagonist kryesor i fushatës politike, por dhe duke imponuar hallet e tij për kandidatët.
Tani Belind Këlliçi duhet të mbajë dhe kusuret e betejës së Berishës me SHBA, duke dëgjuar çdo ditë votuesit e tij nga 2 orë sulme kundër ambasadores së SHBA në Tiranë, e cila pas Erion Veliajt, është shënjestra më e rëndësishme e Berishës.
Atij nuk i intereson më fushata e Këlliçit apo kujtdo tjetër. Shpresoj që së paku Shkëlzeni t’u paguajë lekët e fushatës, pasi praktikisht ata nuk kanë më zë në një fushatë, ku Berisha del dy herë ditën nga 1 orë live në TV dhe ata postojnë në Facebook video të trukuara sikur gjoja bëjnë fushatë.
Problemi i vetëm që ka ky protagonizëm i Berishës është se me këtë ritëm që e ka marrë “kandidimin” e tij për kryebashkiak në Tiranë, pas humbjes më 14 maj, i bie që më 2025, në vend të konkurrojë për kryeministër, do të konkurrojë për drejtor komunale. Por dhe atë e ka në dorë Veliaj, se është me emërim.