Kandidatja e PD-së për bashkinë e Vaut të Dejës, Klomentina Drini ka reaguar pas sulmeve që Sali Berisha i bërë një ditë më parë, teksa prezantoi para demokratëve Zef Hilën. Në një reagim në Facebook, Drini teksa e quan Berishën një non grata, shkruan se nuk do të tërhiqet nga gara pavarësisht presioneve që po i ushtrohet.
Klomentina Drini thotë se PD është parti pro amerikane dhe në këtë garë elektorale do të përfaqësojë me dinjitet vlerat e Partisë Demokratike dhe të gjithë demokratëve në Bashkinë Vau Dejës. Ndërkohë, ajo thotë se votat e demokratëve nuk mund të shkojnë për Ilir Metën.
“Zoti NON GRATA! Pavarësisht furisë së pritshme të sulmeve të paimagjinueshme ndaj meje, po të sqaroj: Unë jam Klomentina DRINI! Jam PRO AMERIKANE! Jam PRO EUROPIANE! Jam PRO MBRETËRISË! Nuk bashkëpunoj me persona NONGRATA! Koha dhe veprat e kanë vërtetu qëndrimin tim ! Unë jam historikisht me Partinë Demokratike!
Partia Demokratike, nuk është një parti Kryetari që qon ujë në mulli të Ilir Metës, por një PD vlerash, e hapur për të gjithë ata që ndajnë të njëjtat ide dhe parime të djathta, me orientim qartësisht të fortë pro amerikan, pro perëndimor, me një program modern, vizion e thjeshtësi duke përfshirë në rradhët e veta gjithkënd që ndan të njëjtat interesa dhe filozofi politike.
Theksoj se pjesëmarrja ime në garë elektorale është e vendosur dhe s’ka bashkëpunim apo presion që më kthen pas! Do të përfaqësoj me dinjitet vlerat e Partisë Demokratike dhe të gjithë Demokratëve në Bashkinë Vau Dejës. Demokratët e kanë vendin në Shtëpinë e tyre, në Partinë Demokratike”, shkruan ajo.