Qytetarët dhe turistët kanë mundësi të vizitojnë në Kashar të Tiranës kantinën “Cassar”.
Sipërmarrje e re agroturistike e pajisur me një kantinë ku po eksperimentohen verëra me varietete autoktone, është një tjetër sipërmarrje e mbështetur nga qeveria përmes programeve të AZHBR/IPARD II, në kuadër të masës për zhvillimin e agroturizmit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, publikoi foto nga kjo kantinë, duke e cilësuar atë si një zbulim të bukur për të gjithë e sidomos për adhuruesit e verës.
Në vendin tonë, zhvillimi i sipërmarrjeve agroturistike është prioritet, si një mundësi shumë e mirë për rritjen e aktivitetit ekonomik, punësimit dhe të ardhurave në zonat rurale.
“Vreshtaria shqiptare nuk resht së befasuari as këtu, ku veç degustimit të verës, mund të shijoni natyrën mes parcelave me vreshta ”, theksoi Krifca. Ministrja tha se, ky është një investim i rëndësishëm për Kasharin, për të tërhequr vizitorë, me kuzhinë ku mbizotërojnë produktet e fshatit dhe të zonës të cilët kanë një mundësi të re tregtimi.