Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë ditën e sotme në dy seanca të veçantë ankimet e koalicionit Berisha-Meta për fletën e votimit. Koalicioni opozitar kërkon heqjen e logove të partive politike nga fleta e votimit dhe zëvendësimin e emrit të Ilir Metës si kryetar i koalicionit me emrin e Sali Berishës.
Në orën 17:30 trupa gjykuese e përbërë nga Edlira Petri (Relatore) dhe anëtarët Manjola Xhaxho, Esmeralda Xhili, Emona Muçi dhe Alma Kolgjoka do të mblidhen për të shqyrtuar në seancë kërkesën e ‘Berisha-Meta për të hequr Logon e Partive dhe/ose të Koalicioneve, nga përmbajtja e fletës së votimit për Kandidatët për Kryetar Bashkie.
Ndërkohë që 30 minuta më vonë, në orën 18:00, do të shqyrtohet kërkesa tjetër e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për të zëvendësuar emrin si drejtues të koalicionit duke vendosur emrin Sali Berisha në vend të Ilir Meta në përmbajtjen e fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak në të 61 bashkitë e vendit. Trupa gjykuese për këtë ccështje është Marsela Dervishi (Relatore) dhe anëtarët Esmeralda Xhili, Alma Kolgjoka, Emona Muçi, Manjola Xhaxho.
Ashtu sikurse pritej, Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka çuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS, i cili kërkoi që në fletën e votimit në 14 maj të ishte emri i Ilir Metës. Përfaqësuesit e koalicionit depozituan mesditën e kësaj të enjteje në gjykatën zgjedhore kërkesë padinë e ku insistojnë që të jetë emri i Sali Berishën dhe jo i Metës.
Ishte Partia Demorkatike e Enkelejd Alibeaj që ankimoi në KAS vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, të cilët e cilësuan si shkelje flagrante të ligjit mos vendosjen e emrit të drejtuesit të koalicionit. Ata kërkuar që të jetë vetë Meta, pasi sipas tyre kjo ishte e caktuar në marrëveshjen e dorëzuar në krye të herës në KQZ, që e përcaktonin Partinë e Lirisë si udhëheqëse e koalicionit.