Kandidati për Bashkinë e Tiranës nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi denoncoi sot se kompania 5D Konstruksion (Ish IGOR ELEKTRIK; ish V.A.S. Konstruksion ) e drejtorit të IMT-së Margilen Qato është përfshirë në afera korruptive si dhe ka përfituar miliona euro tenderë në kryeqytet.
Kjo kompani rezulton se ka përfituar të paktën dy tendera publik në Bashkinë e Shkodrës të drejtuar nga demokratët. Këlliçi akuzonte se kompania me emrin e ri 5D është krijuar nga Qato dhe ka marrë tendera vetëm në Bashkinë e Tiranës duke u pasuruar, por duket se kandidati i opozitës me apo pa dashje nuk përmendi tenderat e përfituar në Bashkinë Shkodër nga kjo kompani.
Këlliçi akuzon se lidhje krushqie të Muhamet Petritit punojnë në Bashkinë Tiranë. Por rezulton se Muhamet Petriti e ka shitur kompaninë dhe ajo zotërohet tani nga Nestor Muhametllari. Blerësi i ri Muhametllari korrespondon me një inxhinier civil të korporatës Gener 2 të Bashkim Ulajt. Kompania është e specializuar në punime ndërtimi dhe ka një portofol të pasur të punimeve të veprave publike së bashku edhe me operatorë të tjerë në treg./ Hashtag.al