Koncesionari i Impiantit të Përpunimit të Mbetjeve në landfillin e Tiranës, e cilëson të turpshme dhe shpifje totale deklaratën publike të politikanit Belind Këlliçi.

Në mënyrë të fshehtë, duke shfrytëzuar ditën e dielë, Këlliçi u shfaq me një poltron jo në hyrje të landfillit, por në një cep të saj. Koncesionari i bën thirrje Këlliçit që të mos fshihet për të dhënë deklarata, por të paraqitet në ambientet e landfillit dhe do të marrë përgjigje për çdo akuzë që ai ngre.

Punonjës të specializuar në çdo sektor, do të ndihmojnë Këlliçin që të kuptojë proceset dhe se çfarë realisht po ndodh në Impiantin e Përpunimit të Mbetjeve në Tiranë.

Belind Këlliçi doli sot për të ripërsëritur një shpifje të një shtetasi italian, i akuzuar për mashtrim dhe në kërkim nga drejtësia italiane.

Në mënyrë tepër të ulët, pa asnjë bazë, pa asnjë provë, pa asnjë dokument apo material, pa asnjë foto apo video, Këlliçi deklaroi se koncesionari i Tiranës do të blejë incenetator të përdorur nga Rumania.

Kjo jo vetëm që është një shpifje e madhe, por koncesionari IEBV, i sqaron publikut se asnjë nga përfaqësuesit e saj apo dhe bashkëpuntorët, nuk ka diskutuar kurrë për trajtimin e mbetjeve me dëshmitarin tek emisionin “investigativ” Piranja.

As ky emision por edhe kandidati për Bashkinë e Tiranës, nuk kanë kërkuar një reagim apo sqarim nga shoqëria koncesionare, për të thënë të vërtetën përpara publikut shqiptar.

Koncesionari sqaron së kurrë nuk ka negociuar në Rumani për blerje inceneratori dhe për këtë mban përgjegjësi para publikut, në qoftë se del një fakt i kundërt me deklaratën e sotme.

Kjo formë e baltosjes pa prova, e sajesave me dëshmitar fiktiv e mashtrues italian, vijon prej muajsh nga Partia e Lirisë dhe po trashëgohet nga pinjolli i ri i kësaj force politike, Belind Këlliçi.

I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese dhe veçanërisht SPAK që të hetojë deklaratën e mashtruesit italian, por gjithashtu të hetojë shantazhin e politikanëve si Këlliçi, Kryemadhi dhe mediave që financojnë për shpifje të llojeve të ndryshme.