Kryeministri Edi Rama ka mirëpritur pjesëmarrësit nga 38 vende të botës në Konventën e Turizmit, një platformë diskutimi 3-ditore e cila do të shërbejë si një promovim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.

Gjatë fjalës së mbajtur përballë të pranishmëve, Rama përmes disa shembujve, me krenari ka lënë të kuptohet se Shqipëria sot nuk është ajo e së shkuarës, e mbuluar nga mafia, krimi e droga. “Episodi i fundit që ka lënë shenjë në kujtesën time dhe në këmbënguljen dhe lidhjen time kaq të madhe me artin dhe bukurinë e këtij vendi.

Është një bashkëbisedim shumë i vështirë që pata me një gazetare nga Italia. Ajo erdhi këtu në fund të viteve ‘90, kur kisha pak kohë që isha zgjedhur Ministër Kulture. Ajo shkroi një artikull të bukur, ndër të paktët artikuj të bukur që kam lexuar për këtë vend të errët dhe plotë me kriminel.

Përpara se të largohej më thotë: “ministër dua t’ju them diçka, diçka që nuk do ta shkruaj por që duhet ta keni parasysh. Ky është një vend ku nuk mund të bëj asnjë foto dhe as të dërgoj dhe marr një kartolinë. Që ta bësh këtë duhet të shkosh në male ku nuk jeton askush…”. Kjo sepse Shqipëria që kishim trashëguar, e sidomos Shqipëria e viteve ’90, ku ndërtohej në mënyrë të paligjshme e të parregullt ishte një vend ku nuk bëje dot një foto. Jam shumë krenar që Shqipëria sot është një vend ku mund të bëni foto sa të doni”- tha Rama.