Institucionet e Kosovës kanë filluar me përgatitjet e fundit për zgjedhjet e së dielës në Veri. Këtë të mërkurë, Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar kontejnerët që do të shërbejnë më 23 prill si qendra të votimit.
Kjo sipas monitoruesve të zgjedhjeve është pazotësi e institucioneve për t’i siguruar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve hapjen e qendrave të zakonshme të votimit.
“Fatkeqësisht kjo tregon një lloj pafuqie të institucioneve tona për të pasur qasje në institucionet publike që janë në veri, po flasim për shkolla dhe objekte të tjera publike të cilat do të duhej t’i ofroheshin nën administrim KQZ-së, në bazë të ligjeve që e parashohin këtë.”- tha Eugen Cakolli – Demokracia në Veprim.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës thotë se ka planifikuar me kohë masat që do të ndërmerren për sigurinë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Megjithatë, për shkak të sigurisë së brishtë dhe numrit të vogël të qendrave të votimit edhe OJQ-të do monitorojnë me ekipe mobile procesin. “Zgjedhjet si të tilla, në këtë atmosferë dhe në këto rrethanë nuk mund të organizohen në një frymë të lirë dhe të drejtë. Faktor është situata e sigurisë përkatësisht rreziku i tensioneve dhe incidenteve që mund të cënojnë integritetin e procesit zgjedhor“- tha Eugen Cakolli – Demokracia në Veprim.
Këto zgjedhje të 23 prillit mund të çojnë edhe në zgjedhje të tjera, për shkak që mungesa e sigurisë, numri i ulët i votuesve që pritet dhe Lista Serbe mund t’i kontestojnë kryetarët shqiptarë që dalin nga procesi i së dielës.
Pas katër ditësh qytetarët e katër komunave veriosë, Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut votojnë për kryetarë të komunave.