Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç e quajti “hipokrizi” mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.
Ajo theksoi se nuk e di si do t’i justifikojnë këto zgjedhje ndërkombëtarët.
Në një dalje për mediat sot, ajo u shpreh se nuk mund të ketë zgjedhje legjitime me vetëm 2% të pjesëmarrjes në zgjedhje. Madje, ajo tha se mbajtja e zgjedhjeve është fundi i demokracisë në Kosovë.
“Të organizohen zgjedhje në të cilat marrin pjesë më pak se 2% e popullsisë, të organizohen disa ditë pasi kemi shënuar 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, marrëveshja e parë për normalizim dhe të cilën Prishtina nuk e përmbushi asnjë fjalë të vetme nga ajo Marrëveshje e Brukselit, edhe pse me nënshkrimin e saj garantonte Bashkimi Evropian dhe jo vetëm, praktikisht deri në vitin 2022, pra nga fillimi i vitit të kaluar, Prishtina po i shkel drejtpërdrejt, duke ua mohuar të drejtat elementare serbëve në Kosovë, ndaj të cilës komuniteti ndërkombëtarët, Bashkimi Evropian si garantues i asaj marrëveshjeje, vendet e QUINT-it, përfshirë SHBA-në, heshtin ose japin vetëm një deklaratë për media dhe pastaj tani keni organizimin e këtyre të ashtuquajturave zgjedhje”, tha ajo.
Kryeministrja serbe u bëri thirrje të gjithë serbëve që të qëndrojnë të qetë dhe të shpërfillin “hipokrizinë e Prishtinës”, siç tha ajo, me organizimin e këtyre zgjedhjeve.
“Dua t’i bëj thirrje, t’ju lutem, t’i bëj thirrje popullit tonë të Kosovës që të qëndrojë i qetë, të nxjerrë të gjithë atë hipokrizi në dritë, të tregojë se deri ku ka arritur sundimi i ligjit, sa larg demokracia ka shkuar… Serbët duhet të qëndrojnë të qetë, duhet të qëndrojnë dinjitoz, vërtet kanë duruar gjithçka me kokën lart, nuk iu përgjigjën provokimeve, prisnin reagimin ndërkombëtar, prisnin Bashkimin Evropian për të reaguar, ata prisnin të shihnin shtetin ligjor për të cilin dëgjojmë aq shumë çdo ditë në të gjithë Evropën në Serbinë qendrore dhe ja çfarë ata pritën. Urime për ta, le ta festojë këtë javë komuniteti ndërkombëtar së bashku me Prishtinën dhe Albin Kurtin si festë të demokracisë që trashëgojnë”, deklaroi Bërnabiq.
Bërnabiç tha se Kosova nuk dëshiron të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas saj, çdo përpjekje për ta formuar këtë mekanizëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk është asociacioni për të cilën kanë rënë dakord, pasi i njëjti duhet të ketë kompetenca ekzekutive.
“Sa herë që thonë se Asociacioni i komunave serbe duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, unë them se nuk është Asociacion i komunave serbe, nuk është Asociacioni i komunave serbe për të cilën është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit… Asociacion i komunave serbe është ajo qe është dakorduar në vitin 2013 dhe të gjitha aktet e mëtejshme përfshirë 2015 që do të thotë kompetencat dhe autorizimet e bashkësisë se komunave serbe, ajo është Asociacioni i komunave serbe, ata këtë nuk do ta bëjnë, nuk e kanë bërë që 10 vjet dhe nuk do ta bëjnë edhe tani”, tha Bërnabiç.
Në fund, Bërnabiç ofendoi edhe raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon duke e quajtur “lobiste shqiptare”.