‘Allianz Stadium’ do jetë sonte dëshmitari i gjysmëfinales së parë në Kupën e Italisë mes Juventusit dhe Interit, dy skuadra që këtë kompeticion e kanë mundësinë më të mirë për të fituar një trofe gjatë këtij sezoni. ‘Zonja e vjetër’ vjen pas disa rezultateve pozitive dhe përveç formës së mirë ka në favor edhe historinë, ndërsa nga ana tjetër Inter vjen pas 3 humbjeve rradhazi në Seria A dhe për pasojë atmosfera është shumë e zymtë te zikaltërit.

Kjo ka qenë edhe arsyeja që Simone Inzaghi nuk është paraqitur në konferencën për shtyp, ndërsa trajneri i Juventusit Allegri e ka mbrojtur atë duke deklaruar se ‘ai është arsyeja që zikaltërit ndodhen në çerekfinalet e Champions League’. Sakaq Allegri ka shtuar se ‘Juventusi nuk duhet të gënjehet nga kriza false e Interit’.

Megjithatë ultrasit e Interit kanë vendosur ultimatum për këtë përballje. Ata thonë se ‘nëse vijnë rezultatet e duhura atëherë skuadra do trajtohet ashtu siç e meriton’. Lukaku sonte pritet ta nisë nga stoli, ndërsa përveç Dzekos dhe Handanovic titullar nga minuta e parë është projektuar edhe Kristjan Asllani. Te bardhezinjtë është kthyer Rabiot, ndërsa Allegri ka parashikuar Di Maria-Vlahovic në majë të sulmit.

Juventus nuk është eliminuar asnjëherë në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, por Interi vjen si fituesi në fuqi dhe sezonin e kaluar mposhti në finale pikërisht bardhezinjtë me rezultatin 4-2. Zikaltërit e kanë fituar 8 herë Kupën e Italisë, ndërsa Juventusi 14 herë dhe mban rekordin në këtë kompeticion.

Ndërkohë java e 29 e Premier League vë sonte përballë Chelsea-n dhe Liverpool-in, dy skuadra që janë në krizë. Londinezët vijnë pas shkarkimit të trajnerit Graham Potter, ndërsa ‘the reds’ pas humbjes 4-1 me City-n si dhe vendit të tetë në renditje, duke rrezikuar Championsin për sezonin e ardhshëm.