Ka përfunduar dita e dytë e gjykimit për ish-liderët e UÇK-së. Ndërsa zoti Thaçi mbante fjalën e tij, çfarë u vu re ishin lotët e Jakup Krasniqit, i cili nesër ka radhën për të folur.
Gazetari Xhemajl Rexha i cili ka pasur mundësi të ndjekë gjyqin në Hagë raportoi se nesër do të jetë dita e fundit e seancave për ketë javë.
“Edhe pse i gjithë fokusi ishte te ata që flasin dhe aty po flitej nga avokati i zotit Thaçi për një seri krimesh, zoti Jakup Krasniqi pati një moment emocional që na emocionoi dhe ne në galeri që po e shihnim nga lart atë moment.
Për këdo zoti Krasniqi është më i veçanti në këtë grup, mes të tjerash edhe për shkak të moshës që ka, është 72 vjeç, ka pasur probleme shëndetësore kohë pas kohe dhe i gjithë grupi, nga ajo çfarë dimë, le të themi se kujdeset në mënyrë të veçantë për zotin Krasniqi. Vajza e tij ka qenë dje prezent në hapje të këtij gjykimi,” – u shpreh Rexha.