Rrjedhja e informacionit nga materialet e klasifikuara ka zbuluar se mosmarrëveshjet e brendshme ruse kanë sjellë që Ministria e Mbrojtjes të akuzohet për publikim më të ulët të viktimave të luftës në Ukrainë sa sa ishin në të vërtetë.

Rusia ka thënë shumë pak publikisht për shkallën e vdekjeve të saj në luftë. Dosjet tregojnë se shërbimi i sigurisë FSB pretendoi se zyrtarët nuk po numëronin vdekjet e Gardës Kombëtare Ruse, mercenarëve të Ëagner dhe të tjerëve. Rusia ka paralajmëruar tashmë se rrjedhjet mund të jenë të rreme, të hedhura qëllimisht nga SHBA. Megjithatë, detajet vërtetojnë atë që tashmë dihej gjerësisht: se grupet ushtarake dhe të sigurisë ruse kanë pasur mosmarrëveshje të shpeshta në lidhje me trajtimin e luftës në Ukrainë dhe se Rusia ka shmangur publikimin e numrit të të vdekurve dhe të plagosurve. Llogaritja e raportuar e FSB-së për gati 110,000 viktima deri në shkurt është ende shumë më e ulët se sa shifrat e kësaj jave në dokumentet amerikane të zbuluara më parë, të cilat vlerësonin humbjet ruse në mes 189,500 dhe 223,000 viktima, me 35,500-43,000 burra të vrarë në aksion.

Shifra më e fundit zyrtare e Rusisë daton në shtator të vitit të kaluar, kur u konfirmuan vdekjet e 5,937 ushtarakëve. I njëjti dokument thotë se nën-raportimi i viktimave brenda sistemit nxjerr në pah “ngurrimin e vazhdueshëm” të ushtrisë për të përcjellë lajme të këqija në zinxhirin komandues.
Komentuesit shpesh kanë sugjeruar se presidenti Vladimir Putin është mbrojtur nga shkalla e humbjeve të Rusisë në fushën e betejës dhe ky vlerësim duket se vërtetohet nga këto përgjime të emërtuara “SI” ose Inteligjencë Speciale. Një tjetër dokument i zbuluar i etiketuar tepër sekret i referohet një “lufte informacioni” midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe shefit mercenar të Wagner, Yevgeny Prigozhin në shkurt. Prigozhin akuzoi vazhdimisht ushtrinë për ndalimin e furnizimeve me municion, ndërsa njerëzit e tij luftuan për të pushtuar Bakhmutin në Ukrainën lindore. Rrjedhja citon zyrtarë të ministrisë që sugjerojnë se ata gjejnë “aleatë me status të barabartë për të luftuar Prigozhin në vend që ta bëjnë vetë”.

Me sa duket, vlerësimi në rrjedhje pohon se humbjet e konsiderueshme të pësuar nga Garda Kombëtare e Rusisë, ose Rosgvardia, “ndoshta do të pengojnë përpjekjet e Moskës për të siguruar plotësisht të gjitha territoret e saj të aneksuara”. Trupat e Rosgvardia kanë marrë pjesë në luftime dhe kanë ndihmuar në organizimin e referendumeve të manipuluara të Rusisë që çuan në aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Putin shtatorin e kaluar. Dihet pak për identitetin e zbuluesit, por Washington Post ka raportuar se ai ishte një person i fiksuar pas armëve në të 20-at e tij, që punonte në një bazë ushtarake amerikane.

Sipas Post, ai transkriptoi dhe më pas shtypi përmbajtjen e dokumenteve të klasifikuara që kishte parë në bazë, dhe më pas postoi foto të vetë dokumenteve. Midis faqeve të dokumenteve të fotografuara, njëra tregon një vlerësim të SHBA-së për “fushatën e rëndë të shkatërrimit” të Rusisë në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës. Ai thotë se duke përjashtuar një “rimëkëmbje të paparashikuar” nga forcat ruse, Ukraina do të mund të pengojë qëllimet e luftës së Moskës “që do të rezultojnë në një luftë të zgjatur përtej 2023-shit”.

Zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov ka sugjeruar se SHBA mund t’i ketë publikuar dokumentet qëllimisht. Si një “palë në konflikt” ai argumentoi se Uashingtoni mund të ketë kërkuar të “mashtrojë armikun, që është Federata Ruse”. Një rrjedhje tjetër intriguese citon Drejtorinë Kryesore të Operacioneve të Rusisë që përshëndeti një operacion të suksesshëm në fillim të shkurtit që synonte të bindte inteligjencën ukrainase për një ofensivë të mundshme të përbashkët ruso-bjelloruse nga Bjellorusia.

Ndërsa fushata ushtarake e Rusisë në lindje ngeci në prag të përvjetorit të luftës, kishte raporte për një ngritje ushtarake ruse në Bjellorusi me synimin për të ringjallur pushtimin e saj të dështuar nga territori bjellorus një vit më parë. Kievi u detyrua të lëvizte trupat për të mbrojtur zonën nga sulmet e mundshme, duke i devijuar ato nga vijat e frontit në lindje dhe jug. Dokumenti i zbuluar citon një zyrtar të Drejtorisë që rekomandon dy faza të tjera të aktivitetit në mars “për të mashtruar më tej forcat ukrainase”. Rrjedhja e bën të qartë se planet po i dërgoheshin shefit ushtarak të Bjellorusisë për miratim.