Presidenti francez Emmanuel Macron tha në një intervistë të publikuar së fundmi nga mediat e huaja se sfida më e madhe e Evropës është që të mos bëhet ndjekëse e sanksioneve të vendosura nga SHBA dhe të hapë konflikte të panevojshme me vende të tjera.
Macron sapo është kthyer nga një vizitë shtetërore tre-ditore në Kinë, ku u prit nga presidenti Xi Jinping. Kina filloi stërvitjet pranë Tajvanit të shtunën si kundërpërgjigjie ndaj takimit të Presidentit Tsai Ing-Wen me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin McCarthy të mërkurën.
Kina e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e saj dhe kurrë nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës për ta vënë ishullin nën kontrollin e saj. Qeveria e Tajvanit kundërshton me forcë pretendimet e Kinës.
Macron tha se Evropa nuk duhet të përshpejtojë konfliktin, por të marrë kohë për të ndërtuar pozicionin e saj si një poli i tretë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe jo të ndjekë politikat e Amerikës.
“Gjëja më e keqe do të ishte të mendosh se ne evropianët duhet të bëhemi ndjekës në këtë temë dhe të përshtatemi me ritmin amerikan ose një reagim të tepruar kinez,- u shpreh Macron.
Ai shtoi se Evropa duhet të financojë më mirë industrinë e saj të mbrojtjes, të zhvillojë energjinë bërthamore dhe të rinovueshme dhe të zvogëlojë varësinë nga dollari amerikan për të kufizuar varësinë e saj nga Shtetet e Bashkuara.
Të premten, një këshilltar i Macron u tha gazetarëve në Guangzhou se Xi dhe Macron kishin një diskutim sinqertë për çështjen e Tajvanit gjatë takimeve të tyre.
“Ndjenja e presidentit është se ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos ketë aksident apo përshkallëzim tensionesh (që mund të çojë) që kinezët të shkojnë në ofensivë,” tha këshilltari i Elysee.
Macron udhëtoi në Kinë me një delegacion biznesi prej 50 personash, duke përfshirë Airbus dhe prodhuesin e energjisë bërthamore EDF, i cili nënshkroi marrëveshje me kinezët gjatë vizitës.