Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Kryetari i Bashkisë së Kavajës Redjan Krali, kanë inspektuar Qendrën e re Shëndetësore në Luz i Vogël – Kavajë, e rikonstruktuar në kuadër të programit të rehabilitimit të qendrave shëndetësore.
“Si kjo qendër, në të gjithë vendin tashmë kemi rehabilituar 340 qendra shëndetësore dhe ambulanca dhe presim që këtë vit të fillojmë rehabilitimin e 60 qendrave të tjera”,- tha Ministrja Manastirliu.
Nga qendra e re shëndetësore Luz i Vogël, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije ecurinë e dy programeve të reja për shëndetin e qytetarëve, vaksinimi ndaj HPV dhe fishat e diabetit falas për pensionistët.
“Nga vaksinimi kundër Human Papiloma Virus kanë përfituar më shumë 4.500 vajza në të gjithë vendin, por gjithashtu edhe nëpërmjet programit të ri të rimbursimit të fishave të matjes së glicemisë ne kemi mbështetur më shumë se 38 mijë të moshuar të gropmoshës +65 vjeç dhe po vijon ditë pas dite rimbursimi i fishave të diabetit falas, për një mbulesë të rimbursimit për mbi 50 mijë të moshuar të kësaj grupmoshë që vuajnë nga diabeti”,- theksoi Ministrja Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se do të zgjerohen qendrat që do të ofrojnë shërbime socio-shëndetësore në vend.
“Në kuadër të planit tonë për intergrimin e shërbimeve socio-shëndetësore, qendra shëndetësore Luz i Vogël, shumë shpejt do të ketë psikologun e saj në strukturën e shërbimeve socio-shëndetësore që do të ofrojë, pasi për këtë vit, kemi vendosur që të zgjerojmë shërbimet socio-shëndetsore me 50 punonjës të rinj psikologë dhe punonjës socialë në të gjithë vendin, duke e çuar kështu numrin e punonjësve socialë dhe psikologve në 100 në vitin 2023”, tha Ministrja Manastirliu.
Duke folur për planin e rritjes së pagave, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh:
“Stafet e kujdesit parësor shumë shpejt do të kenë edhe motivimin e radhës, që është pikërisht rritja e pagave për të gjithë mjekët në kujdesin parësor edhe infermierët, që do të kenë rritjen e pagave 7%, dhe në 2024 do të kemi rritjen e targetuar të pagave, ashtu sikurse bëmë me mjekët specialistë”.
Përveç Qendrës Shëndetësore Luz i Vogël, në Kavajë janë rehabilituar edhe 7 qendra shëndetësore dhe ambulanca, teksa dy ambulanca të tjera pritet të rehabilitohen këtë vit. Me investimet e këtij viti në qendrat e kujdesit parësor, shkojnë në 400 qendrat e rehabilituara në vend.