Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku thotë se 3 sfidat e Tiranës, që janë ndërtimi, trafiku dhe kosto e jetesës, janë probleme të mira.
I ftuar në emisionin Opinion për të diskutuar për garën elektorale për Bashkinë e Tiranës më 14 Maj, Mazniku argumentoi të 3 këto çështje.
“Sa i përket ndërtimit, ne përballemi shpeshherë me dy akuza. Nga njëra anë thuhet është rritur kosto e jetesës, që do të thotë një çift i ri e ka të vështirë të blejë një shtëpi. Nga ana tjetër thuhet po i jepen më shumë leje se ç’duhen ndërtimit.
Pyetja e thjeshtë është, në parimin e ekonomisë së tregut, nëse oferta e ndërtimeve të reja në qytet do binte, do kishte më pak ndërtime të reja, çfarë do ndodhte me çmimet e apartamenteve.
Në logjikën më bazike do të thotë që në qoftë se ne nuk do ta kishim ndjekur me të njëjtin ritëm siç është rritja e qytetit në volum njerëzish dhe rritjen e qytetit në apartamente, çmimet do ishin rritur dhe më shumë se ç’janë rritur.
Ndërtimet, trafiku dhe kosto e jetesës janë probleme pa dyshim që ka nevojë të shqyrtohen, por janë probleme të mira. Sepse janë probleme të cilat i shohim në ato qytete që rriten, që zhvillohen, që ka ekonomi pozitive. Ne duam që të mos e shpërndajmë qytetin. Hapja e qytetit sjell më shumë trafik.
Përsa i përket trafikut, zgjidhja kryesore për trafikun është multimodaliteti. Do të thotë që njerëzit lëvizin me mjete të ndryshme. Ne sot jemi në një situatë ku 50% e njerëzve lëvizin në këmbë, 27% lëvizin me makinë, 24% e njerëzve lëvizin me autobus. Po punojmë në mënyrë serioze me KFV dhe GIZ për korsi të dedikuar autobusësh, ato që quhen autobusë të shpejtësisë së lartë.
Uji, e kemi marrë situatën me 6 orë në ditë mesatare, jemi sot në 7 orë dhe 65% e qytetit sot furnizohet 24 orë me ujë. Padyshim që jemi në rrugë të duhur me një financim që kemi marrë nga Banka Europiane e Investimeve dhe në bashkërendim me qeverinë për të realizuar ujë 24 orë në të gjithë qytetin e Tiranës për ta zgjidhur për 100 vitet e ardhshme sitemin e ujit”, u shpreh Mazniku.