Një kabllogram i Ambasadës amerikane për Ilir Metën, analizonte raportet mes tij dhe Sali Berishës, kur ata krijuan bashkë qeverinë.
“Rishfaqja e Metës nga shkretëtira politike në postin e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm në një qeveri të drejtuar nga Berisha ishte një përfundim që shumë pak e kishin menduar në zgjedhjet e qershorit” – shkruan ambasada në raportimin për DASH.
Kabllogrami ve më pas në dukje që megjithëse do qeverisin bashkë, të dy nuk ia kanë besën njëri- tjetrit, madje Ambasada shkruan se ekziston mundësia që Berisha të emërojë një besnikun e vet ambasador në Uashington dhe t’i mbajë kontaktet të drejtpërdrejta, duke anashkaluar të sapoemëruarin ministër të Jashtëm, Ilir Metën.
Berisha e Meta në fakt vinin nga një histori politike e mbushur me akuza të rënda. Për të përmendur rëndesën e disave prej tyre, ja një deklaratë e Berishës për Metën, botuar në gazetën RD, në 22 gusht 2001:
“Mbi Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij, rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas malit të Dajtit. Nuk do të jetë e largët dita kur Ilir Meta do ta mbylli jetën e tij pas hekurave të burgjeve…
Për PD Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura.
Në historinë e vendit ky mbeti njeriu që me bandat e tij ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit në trafiqet e skllevërve të seksit, të fëmijëve, të drogës dhe të armëve. Për PD dhe shumicën e shqiptarëve beteja kundër trafiqeve është detyrimi i tyre madhor për një të ardhme tjetër si shoqëri e qytetëruar, si shoqëri e respektuar.
Ai është vrasës i opozitës dhe terroristi që urdhëroi hedhjen e granatave mbi gjimnazistët në Tropojë, njeriu që torturoi e burgosi qindra kundërshtarë politikë, është njeriu që ndërtoi pushtetin e tij mbi krimin, trafiqet, korrupsionin e organizuar…
Meta përfaqëson vrasësin e vërtetë të fjalës së lirë, është simbol i injorancës njerëzore, i tmerrit nga fjala e lirë.
Ky është kryeministri i parë në historinë e pluralizmit që me taksat e shqiptarëve blen shtypin, blen dhe përdhos fjalën e lirë të shqiptarëve. Meta është njeriu që shndërroi tangjentet në sistem.
Sot, në 20-mujorin e qeverisjes së tij të korruptuar, të autokracisë së krimit dhe korrupsionit, çdo sipërmarrës privat që do të fitojë një tender publik, është i detyruar t’u paguajë dy herë nga 10 për qind qeveritarëve të korruptuar të Metës dhe regjimit të tij.
Meta është autori i territ të vërtetë mbi shqiptarët, autori i etjes së vërtetë, i shkatërrimit përfundimtar të furnizimeve me ujë dhe energji elektrike të qyteteve të këtij vendi, është autori i vjedhjes së Thesarit…”
Vite më parë, kur Berisha ishte kryeministër deklaronte për vetveten nga salla e parlamentit se: “Unë jam Arkiva!” Kjo është nga ato deklaratat e sinqerta që i thoshte, kur donte t’i bënte shantazh opozitës së djeshme, por indirekt edhe grupit të njerëzve të vetë.
Ndërsa shumë nga ato që thuhen në deklaratën e mësipërme, janë fjali politike, njëra prej tyre duket shumë konkrete: “Mbi Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij, rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas malit të Dajtit…”
Çfarë ka dashur të thotë “arkivisti” me këtë fjali?