Paolo Maldini i është bashkuar atyre tifozëve të Milanit të cilët besojnë se ‘djalli’ mund të fitojë Champions League. Ky mendim është përforcuar pas shortit të hedhur disa javë më parë kur trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, i cili e ka fituar dy herë Championsin me Milanin, ka telefonuar Paolo Maldinin, ish-kapitenin legjendar të ‘djallit’ i cili tani ka pozicion drejtuesi.

Maldini zbulon se ka patur një bisedë me Ancelotti-n ku e kanë lënë që të takohen në qershor në finalen e Champions League që luhet në Stamboll.

“E dini cili është problemi? Që edhe Ançeloti, i cili tani është te Reali, ka një hesap pa larë në Stamboll. Menjëherë pas shortit më telefonoi: Paolo, do të shihemi në Stamboll, apo jo?”, tregoi ai batutën me trajnerin.

“Nuk do të jetë e thjeshtë, por mendoj se historia e klubit na jep mundësinë që të besojmë. Ka ndodhur edhe më parë. Kur mbërrin në muajt mars-prill, kur mbërrin Champions, mund ta transformosh sezonin në diçka të pabesueshme. I kemi këto mundësi dhe duam t’i shfrytëzojmë”, tha Maldini.