Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, me ftesë të homologut italian, Antonio Tajani, ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë. Gjatë fjalës së saj, Ministrja Xhaçka u shpreh se lufta ne Ukrainë duket se e ka vetëdijësuar BE për faktin qe siguria dhe stabiliteti i bllokut është i lidhur në mënyrë të pandashme me sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
BE po tregon një qasje më strategjike ndaj rajonit dhe ska asnjë dyshim që besueshmëria e perspektivës evropiane është një faktor kyç në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe vetë BE, u shpreh ajo.
Ministrja Xhaçka nënvizoi po ashtu frymën e re të bashkëpunimit rajonal në rajon dhe mundësitë e mëdha për bashkëpunim ekonomik e investime strategjike, veçanërisht në sektorin e energjisë që ekzistojnë sot në rajon ku Italia padyshim mund të luajë një rol të rëndësishëm e të mirëpritur.
Ajo falënderoi Zëvendës Kryeministrin Tajani për angazhimin e tij ndaj Shqipërisë e rajonit dhe shprehu vlerësimin e Shqipërisë për rolin e rëndësishëm që Italia luan në zhvillimet në rajon. Në takim, merrnin pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin i BE, Oliver Varhelyi, Ministrat e Jashtëm të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës dhe MPJ i Suedisë, Tobias Billström, vend i cili mban Presidencën e radhës së Këshillit.
Në takim u trajtuan çështje të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike në Evropë dhe në botë. Në fokus ishin çështje që kanë të bëjnë me energjinë, sigurinë kibernetike, politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, migracionin, si dhe me procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit.