20 Prill, Tiranë- Qeveria miratoi sot vendimin për rritjen historike të pagave për profesionistët e shëndetit në të gjithë sistemin shëndetësor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në komunikimin me median pas mbledhjes së qeverisë, e ka konsideruar këtë vendim historik për fuqizimin dhe mbështetjen e bluzave të bardha dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët.
“Me vendimin e qeverisë do të kemi rritjen historike të pagave për mjekët specialistë e cila do të jetë 50.000 lekë në muaj për çdo mjek specialist që punon në strukturat tona të spitaleve dhe të poliklinikave në të gjithë vendin. Do të kemi një rritje me 7% për mjekët dhe infermierët dhe teknikët e shkencave mjekësore në të gjithë sistemin parësor dhe atë spitalor, ndërkohë që do të kemi edhe një rritje për të gjithë ata punonjës në administratat e njësive vendore të kujdesit shëndetësor, të agjensive të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të spitaleve, një rritje që do të jetë nga 25% deri në 50% duke krijuar kështu një hiearki të pagave e cila reflekton edhe rritjen e madhe dhe historike”,- theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi se plani për rritjen e pagave të targetuara do të vijojë edhe në vitin 2024.
“Kemi realizuar rritjen e pagave për mjekët specialistë dhe të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor, ne do të vijojmë rritjen e pagave edhe për vitin 2024 për mjekët e familjes dhe infermierët që do të ketë sërish një rritje page të targetuar”,- tha Manastirliu.
Nga plani 2023-2024 i rritjes së pagave përfitojnë rreth 22 mijë profesionistë të shëndetësisë në të gjithë vendin.
Përveç mjekëve dhe infermierëve rritje e pagave është miratuar edhe për mjekët specializantë të cilët do të paguhen me 80% të pagës së mjekut specialist.
Home Lajme Aktualitet Miratohet vendimi për rritjen historike të pagave për mjekët dhe infermierët, Manastirliu:...