Futbollisti i Kosovës, Vedat Muriqi, edhe njëherë ka shprehur pakënaqësinë që Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, derisa ka shtuar se La Liga po tregohet raciste ndaj kosovarëve.
Në një intervistë për gazetën spanjolle “Ultimahora”, bomberi i Dardanëve ka folur për karrierën e tij, por nuk ka hezituar për t’i kundërshtuar spanjollët kur u pyet për Kosovën.
“Më shqetëson shumë fakti që Spanja nuk e njeh Kosovën. Kjo do të thotë se familja ime ose miqtë nuk mund të vijnë këtu”, tha fillimisht Muriqi.
Lidhur me mosnjohjen e Kosovës nga Qeveria e Spanjës, Muriqi tha se kishte pasur edhe vetë problem.
“Duhet të marrësh vizë nga Maqedonia, por del se vizat janë vetëm për maqedonasit. Unë vetë pata shumë probleme me lejen e qëndrimit dhe arrita në një pikë që thashë: Do të flas me klubin dhe po iki. Por, në fund u rregullua gjithçka”, shtoi Muriqi.
“Gjithashtu nuk më pëlqen që LaLiga nuk na njeh. Një gjë është politika dhe një tjetër, sporti. Pastaj flitet shumë për ‘Jo për racizmin’, por ky është racizëm. Sporti duhet të shërbejë për të bashkuar njerëzit, jo për t’i ndarë ata”.
Muriqi tani është një nga golashënuesit më të mirë të klubit të Mallorca-s. Ai tha se ndihet i lumtur për këtë gjë.
“Është një nder të jesh në këtë listë, nuk më intereson se sa gola është diferenca. Por, me lojtarë si Guiza, Etoo, Arango apo Aduriz, është e mrekullueshme”, tha Muriqi
“Si sulmues sigurisht që dua të shënoj shumë, por Guiza, për shembull, mendoj se ai shënoi 27. E njoh mirë sepse isha në Turqi dhe mbaj mend që nga këtu shkoi në Fenerbahce”.
“Shpresoj të shënoj më shumë, por gjëja e parë është që Mallorca të fitojë. Nëse skuadra fiton dhe unë shënoj, kjo është gjithçka që më duhet”, shtoi ai.
Muriqi mes tjerash u pyet edhe lidhur me ndërrimin e klubit gjatë verës së ardhshme, por ai tha se dëshira e tij është të qëndrojë edhe më gjatë te Mallorca.
“Nuk është sekret që agjenti im merr oferta, por ideja ime është të qëndroj këtu deri në fund të kontratës. Unë kam gjetur vendin tim. Unë luaj, shënoj dhe kam shokë të mirë.
“Si futbollist dhe si njeri nuk dua më shumë. Ideja ime është të ndihmoj Mallorca-n për të vazhduar në La Liga dhe për të hyrë në Evropë në vitet e ardhshme. Kjo do të ishte e mrekullueshme”, tha mes tjerash Vdeat Muriqi.
Ndërkohë, kur u pyet se cila është ëndrra në karrierën e tij, ai tha “Dua të luaj një Kampionat Evropian apo Botëror me Kosovën”.
Kujtojmë që Muriqi po zhvillon një sezon të mrekullueshëm me Mallorca-n. Ai deri më tani ka shënuar 12 gola (pesë me pak se Lewandowski i vendit të parë dhe dy më pak se Benzema i vendit të dytë), si dhe ka dhuruar dy asistime. Albanian Post