Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ishte i pranishëm në një takim me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokristiane që siç duken nga pamjet numërohen me gishta.
Në fjalën e tij, aleati i Berishës dhe Metës, Nard Ndoka, e cilësoi Belind Këlliçin një misionar, jo vetëm për të ndryshuar Tiranën por edhe për të sjellë një model të një politikani të ri dhe të suksesshëm në shërbim të qytetarëve.
Nga ana e tij, Këlliçi u bëri thirrje të pranishmëve që t’i ndëshkojnë me votë ata që vjedhin.
“Dhe i bëj një apel nga këtu të gjithë qytetarëve: marrëdhënia me votën duhet të jetë e shenjtë, mos u intimidoni.
Kur të shkoni te kutia e votimit jeni vetëm ju dhe Zoti, askush tjetër. Mos e shisni shpirtin për 50 mijë lekë apo për vendin e punës. Mendoni katër vitet e ardhshme, mendoni të ardhmen e këtij qyteti.
I ndëshkoni me votë ato që tallen me ju, i ndëshkoni me votë ata që vjedhin çdo ditë. E nëse Belindi nuk mban premtimet pas 14 majit, ndëshkoni edhe Belind Këlliçin më vonë”-u shpreh Belind Këlliçi.