Senatori i SHBA-ve nga Montana, Steve Daines ndodhet këtë javë për një vizitë zyrtare në Shqipëri si pjesë e një turi rajonal të fokusuar te stabiliteti, siguria energjetike dhe konflikti në zhvillim në Ukrainë. Pasditen e kësaj të enjte, senatori Daines ka zhvilluar një takim në Presidencë me kreun e shtetit, Bajram Begaj, teksa e pranishme ishte dhe ambasadorja Yuri Kim.
Duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera të partneritetit strategjik, Presidenca njofton se Begaj ka vlerësuar se vizita e Senatorit Daines në Shqipëri vjen në një moment të rëndësishëm, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të zhvillimeve dinamike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Begaj ka theksuar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të një rëndësie parësore për Shqipërinë dhe shqiptarët. Duke iu referuar lidhjeve të forta miqësore e njerëzore, vlerësoi se ato janë shumëdimensionale dhe shumë dinamike, dhe se Shqipëria do të mbetet një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara.
Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të reformave të domosdoshme për forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, ku padyshim reforma në drejtësi ka marrë vëmendjen kryesore.
Duke u ndalur te bashkëpunimi shumëpalësh, presidenti Begaj evidentoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria prej 1 janarit 2022 mban një vend jo të përhershëm. Presidenti Begaj nënvizoi se “hartimi së bashku i disa rezolutave, veçanërisht atyre që dënonin agresionin rus ndaj Ukrainës, por jo vetëm, dëshmuan besim të fortë ndaj Shqipërisë mike dhe aleate”.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe tek efektet, në shumë aspekte, që agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka prodhuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar se mbështetja thelbësore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i japin dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i shërben së pari normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe paqes së qëndrueshme e sigurisë në të gjithë rajonin. Ambasada e SHBA në vendin tonë ka publikuar agjendën e zyrtarit të lartë amerikan, ku theksohet se Daines do të vizitojë edhe Bazën Ajrore të Kuçovës.
“Senatori Daines do vizitojë gjithashtu Bazën Ajrore të Kuçovës e cila do të marrë mbi 58 milion dollarë fonde nga NATO për të modernizuar bazën për të mbështetur transportin ajror të NATO-s, logjistikën, policimin ajror dhe trajnimin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.