Kandidati presidencial i Lëvizjes Evropa Tani Jakov Milatoviç erdhi në qendrën e tij të votimit në Podgoricë për të votuar i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Milena, por pa letërnjoftim. Ai e kishte harruar kartën e identitetit në shtëpi.

Kandidatit për President i është dashur të kthehet në banesën e tij, pas së cilës ka ardhur sërish në qendrën e votimit dhe ka votuar.

Në Mal të Zi sot zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Në garën zgjedhore janë dy kandidatë për presidentë, të cilët fituan më shumë vota në raundin e parë zgjedhor të 19 marsit, kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe Jakov Millatoviq, kandidati i Lëvizjes Evropa tani.

Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga ripërtëritja e pavarësisë së Malit të Zi dhe të shtatat që nga futja e sistemit shumë-partiak.