Manchester City do ketë Akademinë dhe Shkollën e futbollit në Durrës. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është firmosur marrëveshja me “City Football Group”, me Shqipërinë që do ketë një Akademi të mirëfilltë futbolli, të një prej klubeve që kanë rritje të madhe në vitet e fundit. Report TV njoftoi paraditen e sotme marrëveshjen me City-n. Falë edhe ndihmës së pronarëve nga Arabia Saudite që zotërojnë këtë kompani, tanimë Shqipëria i bashkohet shumë vendeve ku Manchester City ka një Shkollë futbolli. Veç talenteve nga Shqipëria, edhe yjet e rinj të futbollit nga rajoni do kenë mundësinë të jenë pjesë e kampuseve stërvitore.
” YEESSSS… AKADEMIA E KLUBIT TË MANCHESTER CITY DHE SHKOLLA E TIJ FUTBOLLIT PËR FËMIJËT DO TË KENË NË DURRËS KAMPUSIN E TYRE PËR RAJONIN
Sapo ka nisur kapitulli i ri i një historie miqësie e ardhmërie, në një rrugë të përbashkët suksesi me miqtë tanë të paçmuar të Emirateve të Bashkuara, falë mbështetjes së të cilëve Shqipëria hyn edhe në hartën prestigjioze të CITY FOOTBALL GROUP, bashkë me Anglinë, Spanjën, Francën, Italinë, Belgjikën, SHBA, Australinë, Brazilin, Uruguajin, Japoninë, Indinë dhe Kinën”, shkruan Rama në kanalet e komunikimit.
Në firmosjen e marrëveshjes në Britaninë e Madhe, të pranishëm kanë qenë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, si edhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emirjana Sako. Në tryezën e firmës duket edhe biznesmeni i njohur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar.
Dy ditë më parë, nga qyteti i Durrësit Rama bëri me dije se Akademia e një prej klubeve prestigjoze evropiane do jetë pjesë e sportit në Durrës, kjo për të rinjtë e talentuar në sportin e futbollit. Terrenet sportive që do të vihen në dispozicion të Akademisë së Futbollit do jenë pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Pjesë e “City Group” janë skuadra si Manchester City, New York City, Melbourne City, Yokohama F. Marino, Montevideo City Torque, Girona FC, Sichuan Jiuniu, Mumbai City FC etj.