Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në Abc News përmendi tre gjërat me të cilat “mburret” bashkia. Mazniku u shpreh se kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë dy mandateve qeverisëse, ka rikonstrukturuar tërësisht strukturën e sistemit arsimor.

“Gjëja e parë që padyshim është krenaria më e madhe e bashkisë është rikonstrukturimi thelbësor i sistemit të strukturës arsimore. Janë 40 shkolla të reja në të dy mandatet. 36 janë të rikonstrukturuara tërësisht, 20 kopshte të rinj ndërkohë që 25 shkolla janë kthyer në atë që ne i themi qendra komunitare. Mund të përdoren nga komuniteti pjesën e pasdites. Në 4 vitet pararendës në Tiranë nuk është bërë asnjë shkollë. Ne shkojmë nga 0 shkolla në 40 të reja. Ne sot jemi krenar që çerdhet publike janë kthyer në një zgjedhje të parë për prindërit. Janë po aq të mira sa kopshtet private.“, tha ai. Më tej, ai përmendi projektet transformuese si edhe infrastrukturën e përmirësuar të qytetit.

“E dyta, janë projektet transformuese të qytetit. Sheshi Skënderbej, Bulevardi i Ri, projekti i kalasë, Bulevardi Zogu i Parë, Kopshti Zoologjik, Pazari i Ri dhe një seri projektesh të reja që kanë pasur një forcë transformuese në territorin përreth tyre. E treta është infrastruktura publike. Kemi marrë një qytet që kishte 70 për qind të pusetave që i mungonin. Infrastruktura rrugore nuk është në nivelin dhe detajet më të skajshme të qytetit por ne jemi në një situatë ku Tirana nuk kishte asnjë vijë të bardhë. Sot jemi një qytet që nga ana e infrastrukturës dhe pastërtisë, kur vijnë të huajt, thonë se e shohim në të njëjtën lartësi syri si të gjithë qytetet e rajonit.”, tha Mazniku.