Kur vjen puna tek interesi i tij personal, Sali Berisha nuk do t’ia dijë për kënd.
Madje, edhe për festat e shenjta të besimtarëve myslimanë dhe të krishterë.
Pak javë më parë ai përdhosi festën e bektashinjve, duke u lutur që Sulltan Novruzi tjetër, ta gjejë pa Sulltan Surrelin, duke iu referuar Edi Ramës.
Ndërsa një ditë më parë, në festën më të rëndësishme të të krishterëve, jo vetëm që ka dalë në fushatë bashkë me ortakun e tij Ilir Meta, duke sulmuar e sharë me libër shtëpie kundërshtarët e tij, por i është vërsulur Enkelejd Alibeajt, pse është gjendur në ambientet e kishës katolike, në kohën që aty kanë qenë edhe politikanë të tjerë, mes të cilëve edhe Erion Veliaj.
“Ndërkohë që fushata e 14 majit po vijon me ritme të larta për të gjithë kahet politike, bie ne sy dëshira e madhe për t’u përdorur e mbetjeve që thonë se janë opozita. Por që çuditërisht nuk lënë rast pa përdorur e moment pa shfrytëzuar që të shfaqen në krah të rilindjes. Herë duke i shtrënguar dorën Taulantit e herë duke i rrahur supet Damianit.
Kësaj here Alibraj është shfaqur i lumtur në praninë e Erion Veliajt, të cilit po i shërben me kapacitet të plotë. Pasi ai, si vulëhumbur dhe në mision për të dëmtuar opozitën, ka nxjerrë një kandidat për bashkinë e Tiranës për të marrë sa më shumë vota nga opozita. Kështu duke i dhënë një ndihmë të madhe kandidatit të rilindjes, një njeri i akuzuar për dhjetëra skandale në Tiranë”, shkruan portali i Berishës për Alibeajn, por dhe si mesazh për të tjerët, që mjerë ata se shfaqen qoftë dhe rastësisht në ndonjë ambient me kundërshtarët e Berishës, se do sulmohen egërsisht.
Një politikë që Berisha e ka ndjekur gjithmonë ndaj kundërshtarëve të tij politikë, të cilët i trajton si kundërshtarë për jetë a vdekje, duke frymëzuar militantët e vet që kundërshtarin politik, ta shohin si armik.(TemA)