Në Gjykatën Speciale nisi sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se kanë kryer krime lufte.
Prokuroria lexoi edhe një herë akuzat ndaj ish drejtuesve të UÇK, të cilët u deklaruan të pafajshëm.
Pas një procedure të gjatë paragjyqësore, për gati 3 vjet, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të dalin para trupi gjykues.
Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj me 3 shtator 2021, 29 prill dhe 30 shtator 2022.
Ndërsa versioni i aktakuzës me më pas redaktime, e cila është fuqi aktualisht, u dorëzua në shkurt të këtij viti.
Gjatë ditës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën hyrëse dhe për këtë ka në dispozicion 5 orë.
Pas kësaj, është mbrojtësi i viktimave që do të bëjë deklaratën hyrëse, e cila pritet të zgjasë deri në 45 minuta.
Procesi do të vazhdojë me deklaratat hyrëse të ekipeve mbrojtëse.
Të gjitha këto pritet të përfundojnë të mërkurën, më 5 prill, ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë me vonë me thirrjen e dëshmitarëve të prokurorisë.
Sipas Dhomave të Specializuara, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në këtë proces gjyqësor.
Kundër ish-krerëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë mbi 300 dëshmitarë të prokurorisë dhe për t’i përfunduar këto duhet deri në dy vite kohë.
Ndërsa për të përmbyllur çështjen e prokurorisë thuhet se do të duhen deri në 5 vite e gjysëm kohë.
Kjo periudhë është konsideruar e gjatë nga ekipet mbrojtëse, ndërsa trupi gjykues ka i ka kërkuar prokurorisë që të reduktojë këtë numër.
Ish-krerët e UÇK-së, ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Na paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa kujtojmë se në mbështetje të tyre ditën e djeshme është mbajtur një marshim në Prishtinë.
Sot në Hagë, në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë të diasporës do të mblidhen në një protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për të akuzuarit si dhe luftën e UÇK-së.