“Shumë shpejt nis rikonstruksioni i dy rrugëve në fshatin Vadardhë të njësisë administrative Sukth, kërkesë që është bërë nga ju dhe që do të bëhet realitet me shumë mundësi brenda muajit maj”. Kështu është shprehur kryetarja e bashkisë Durrës në takimin me banorë të fshatit Vadardhë.
Sako ka theksuar se ne kemi dëshirën dhe vullnetin që të relizojmë çdo kërkesë tuajën dhe këto do të realizohen pjesë-pjesë, jo vetëm në fshatin tuaj, por edhe në Perlat dhe Rrushkull që janë pjesë e njësisë administrative Sukth. Kryebashkiakja Emiriana Sako njoftoi banorët se brenda muajit maj nisin punimet për rikonstruksionin e rrugëve “Zef Ndreka” dhe “Bosko”, rrugë të cilat nuk kanë njohur investim të tillë më parë.
Këto rrugë kanë një gjatësi prej rreth 1.2 km dhe janë rrugë të brendshme të fshatit Vadardhë që lidhen me rrugën kryesore. Sako deklaroi në bashkëbisedimin me komunitetin e kësaj zone se vëmendja e bashkisë nuk është përqendruar vetëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por edhe në investimet në godinat arsimore, pastrimin e kanaleve kulluese e vaditëse.
Gjatë këtij 3-vjeçari në njësinë administrative Sukth janë ndërtuar 5 godina të reja arsimore, ndërkohë që është rehabilituar argjinatura e lumit Erzen në një gjatësi rreth 1 kilometër, investim ky që parandalon përmbyjet e tokave bujqësore të zonës. Në këtë kuadër, në këtë njësi administrative janë pastruar edhe rreth 4 kilometra kanale vaditëse e kulluese duke i ardhur në ndihmë fermerëve të zonës. Sako ka deklaruar se edhe në mandatin e ardhshëm do të ketë investime të tjera të rëndësishme për transformimin e gjithë kësaj njësie administrative.